Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi sot se diskutoi situatën në Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe bashkëpunimin dypalësh me Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Macron shkroi në Ix (X) se ai dhe Erdogan "diskutuan situatën në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për respektimin e armëpushimit dhe zbatimin e tij në Liban, respektimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe duke theksuar nevojën për një zgjidhje diplomatike të vendosur dhe të përhershme".
"Gjithashtu, diskutuam situatën në Ukrainë dhe punën tonë të përbashkët brenda 'Koalicionit të Vullnetarëve' për të kontribuar në kërkimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që duhet domosdoshmërisht të jetë në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të mbështetet nga garanci të forta sigurie për Ukrainën", shtoi njoftimi.
Macron iu referua samitit të bashkësisë politike evropiane që do të mbahet në Jerevan më 4 maj dhe, siç deklaroi ai, "mbështetjes së Francës për dinamikën e paqes në Kaukazin Jugor, e cila duhet t'i lejojë rajonit të hapë një kapitull të ri, me kufij të hapur dhe bashkëpunim rajonal të forcuar".
"Ne ramë dakord mbi nevojën për të vazhduar thellimin e dialogut dhe bashkëpunimit tonë dypalësh", përfundonte njoftimi.
© SYRI.net