Delegacioni i SHBA-së dhe Iranit në Pakistan, bisedimet e paqes nën hijen e paralajmërimeve e luftimeve në Liban

Delegacioni i SHBA-së dhe Iranit në Pakistan, bisedimet e paqes nën hijen e paralajmërimeve e luftimeve në Liban

09:30, 11/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga  Ariba Shahid and Asif Shahzad - Reuters 

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë ndodhen sot në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, për negociata që synojnë t’i japin fund luftës gjashtëjavore mes tyre. Megjithatë, Iran hodhi dyshime mbi bisedimet, duke deklaruar se ato nuk mund të nisin pa angazhime konkrete për Libanin dhe për heqjen e sanksioneve.

Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe që përfshin të dërguarin special të presidentit Donald Trump, Steve Ëitkoff, si dhe dhëndrin e tij Jared Kushner, mbërriti sot në mëngjes në Islamabad me dy avionë të forcave ajrore amerikane. Ata u pritën nga shefi i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, dhe ministri i Jashtëm Ishaq Dar.

Delegacioni iranian, i udhëhequr nga kryetari i parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, kishte mbërritur që të premten.

Këto janë bisedimet në nivelin më të lartë mes SHBA-së dhe Iranit që nga koha e Revolucionit Islamik në 1979  dhe kontaktet e para zyrtare ballë për ballë që nga marrëveshja e vitit 2015 për programin bërthamor iranian. Donald Trump e anuloi atë marrëveshje në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë. Po atë vit, udhëheqësi suprem i atëhershëm i Iranit, Ali Khamenei – i cili u vra në fillim të luftës gjashtë javë më parë – ndaloi negociatat e drejtpërdrejta mes dy vendeve.

Image

Irani: pa përmbushje kushtesh, nuk ka bisedime

Qalibaf deklaroi në rrjetin X se Uashingtoni kishte rënë dakord më herët të zhbllokonte asetet iraniane dhe të siguronte një armëpushim në Liban, ku sulmet izraelite ndaj Hezbollahut të mbështetur nga Irani kanë shkaktuar rreth 2 mijë viktima që nga marsi. Ai theksoi se negociatat nuk do të nisin pa u përmbushur këto premtime.

Media shtetërore iraniane bëri të ditur se delegacioni do të takohej me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif rreth orës 09:00 me orën tonë (07:00 GMT) për të përcaktuar kohën dhe mënyrën e “negociatave të mundshme”.

Ndërkohë, SHBA dhe Izraeli këmbëngulin se konflikti në Liban nuk është pjesë e armëpushimit SHBA-Iran, ndërsa Teherani insiston të kundërtën.

Qalibaf shtoi se Irani është i gatshëm për një marrëveshje nëse Uashingtoni ofron një marrëveshje të vërtetë dhe njeh të drejtat e tij. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë nuk reagoi menjëherë, ndërsa Trump postoi në rrjetet sociale një reagim duke thënë se e vetmja arsye pse janë gjallë iranianët është fakti i negociatave për të arritur një marrëveshje.

Irani “nuk ka asnjë kartë në dorë” tha ai.

Zëvendëspresidenti JD Vance, në rrugë drejt Pakistanit, u shpreh optimist për një rezultat pozitiv, por paralajmëroi: “Nëse përpiqen të luajnë me ne, ekipi negociator nuk do të jetë mirëpritës.”

Përgatitje intensive dhe masa sigurie

Sipas burimeve në Islamabad, janë zhvilluar takime paraprake me ekipe teknike nga të dyja palët. Delegacioni iranian përfshin rreth 70 persona, ndërsa ai amerikan rreth 100.

‘Jemi shumë pozitivë’ tha një burim I ngushtë pranë negociatave nga Pakistani

I pyetur nëse bisedimet do të përfundonin të shtunën, burimi u shpreh: "Është herët për ta thënë. Ata kanë udhëzime që ose të mbyllin marrëveshjen, ose të tërhiqen fare. Prandaj nuk kanë nxitim. Këto bisedime nuk janë të kushtëzuara nga koha."

Kryeqyteti pakistanez u vendos nën masa të rrepta sigurie, me mijëra trupa në terren. Ministri i Brendshëm në detyrë, Talal Chaudhry, tha se është vendosur një sistem sigurie me shumë shtresa për të garantuar kontroll të plotë.

Lufta dhe tensionet në rajon vijojnë

Trump shpalli një armëpushim dyjavor që ka ndalur sulmet ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, por nuk ka zgjidhur bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, e cila ka shkaktuar tronditje të mëdha në furnizimin global me energji.

Ndërkohë, luftimet në Liban vijojnë. Zyrtarë izraelitë dhe libanezë pritet të takohen në Uashington për bisedime të tjera, mes mospajtimeve për objektivin e tyre.

Presidenca e Libanit deklaroi se zyrtarët e të dy vendeve kanë zhvilluar një bisedë telefonike të premten dhe kanë rënë dakord të diskutojnë shpalljen e një armëpushimi, si dhe caktimin e një date fillimi për bisedimet dypalëshe nën ndërmjetësimin e SHBA-së. Megjithatë, ambasada e Izraelit në Uashington tha se bisedimet do të përbënin fillimin e "negociatave zyrtare për paqe" dhe se Izraeli kishte refuzuar të diskutonte një armëpushim me Hezbollahun.

Agjenda e Iranit përfshin edhe kërkesa të mëdha, si heqja e sanksioneve dhe njohja e kontrollit mbi ngushticën e Hormuzit, çka do të ndryshonte ndjeshëm balancën e fuqisë në rajon.

Megjithëse Trump ka deklaruar fitore dhe dobësim të kapaciteteve ushtarake iraniane, shumë nga objektivat fillestare – si ndalimi i programit bërthamor dhe dobësimi i regjimit – nuk janë arritur. Irani vijon të zotërojë raketa, dronë dhe mbi 400 kg uranium të pasuruar pranë nivelit për armë bërthamore, ndërsa regjimi ka mbijetuar pa shenja të një opozite të organizuar. /Reuters/ 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco