Programi Botëror i Ushqimit (WFP) paralajmëroi sot se Libani po rrëshqet drejt një krize të thelluar të sigurisë ushqimore, ndërsa konflikti vazhdon të ndikojë në jetesën dhe qasjen në mallrat bazë.
Drejtoresha e WFP-së për Libanin, Allison Oman u tha gazetarëve në Gjenevë se kriza po zhvillohet me shpejtësi përtej zhvendosjes së popullsisë.
“Ajo që po shohim nuk është vetëm një krizë zhvendosjeje, por po shndërrohet me shpejtësi në një krizë të sigurisë ushqimore”, tha ajo duke theksuar rritjen e ndjeshme të çmimeve, me perimet që janë rritur mbi 20 për qind dhe buka me 17 për qind vetëm brenda një muaji.
“Ky është një kombinim shumë shqetësues: çmimet po rriten, të ardhurat po ndërpriten dhe kërkesa po rritet ndërsa zhvendosjet vazhdojnë”, shtoi Oman. Rreth një milion njerëz janë zhvendosur nga sulmet e Izraelit ose rreth një e pesta e popullsisë së Libanit.
Edhe pse tregjet në nivel kombëtar duken funksionale, ajo paralajmëroi se kjo fsheh ndërprerje të rënda në zonat e prekura nga konflikti në jug, ku “më shumë se 80 për qind e tregjeve nuk funksionojnë më”, ndërsa disa tregtarë raportojnë rezerva ushqimore për më pak se një javë.
Edhe para përshkallëzimit të situatës më 2 mars, ajo tha se rreth 900 mijë njerëz përballeshin me pasiguri ushqimore, një numër që pritet të rritet më tej.
WFP-ja ka ndihmuar më shumë se 440 mijë njerëz të prekur nga konflikti dhe ka “shpërndarë ekuivalentin e 2 milionë vakteve për familjet e goditura nga kriza”, tha ajo, duke theksuar se agjencia ka qenë në terren që në orët e para të përshkallëzimit.
“Ushqimi nuk është thjesht ndihmë, është stabilitet, është dinjitet dhe tani, në shumë raste, është shpëtim jete”, tha ajo.
Që nga 2 marsi, WFP-ja, së bashku me grupin e logjistikës, ka organizuar rreth nëntë deri në dhjetë konvoje, duke dërguar rreth 70 kamionë me ndihma dhe duke arritur rreth 40 mijë deri në 60 mijë persona.
Ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet në Liban që nga e mërkura, duke vrarë të paktën 303 persona dhe duke plagosur 1.150 të tjerë, sipas Mbrojtjes Civile libaneze.
Ofensiva e zgjeruar izraelite në Liban që nga 2 marsi ka vrarë 1.888 persona dhe ka plagosur 6.092 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit./ AA.
© SYRI.net