A mund t’i kapërcejnë SHBA-të dhe Irani mosmarrëveshjet e tyre në bisedime?

A mund t’i kapërcejnë SHBA-të dhe Irani mosmarrëveshjet e tyre në bisedime?

15:20, 09/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SHBA-të dhe Irani janë gati të zhvillojnë bisedime paqeje në Pakistan, i cili ka qenë ndërmjetës, por mbeten thellësisht të ndarë në çështjet kryesore, edhe pse Presidenti Donald Trump ka thënë se propozimet e paraqitura nga Teherani ishin një "bazë" për bisedime.

Secila palë po i përmbahet kërkesave konkurruese, për një marrëveshje që do t'i jepte fund luftës që mund të formësonte Lindjen e Mesme për breza të tërë.

KU QËNDROJNË TË DYJA PALËT?

Një delegacion iranian pritet të mbërrijë në Islamabad për bisedime bazuar në një propozim prej 10 pikash, i cili tregon pak përputhshmëri me një plan prej 15 pikash që Uashingtoni e kishte paraqitur më parë, duke sugjeruar se do të ketë boshllëqe të mëdha për t'u kapërcyer.

Për shembull, propozimi i Iranit përfshin një kërkesë për pasurimin e uraniumit, të cilën Uashingtoni më parë e përjashtoi dhe Trump ka këmbëngulur se është e panegociueshme. 10 pikat gjithashtu nuk trajtojnë aftësitë raketore të Iranit, të cilat Izraeli dhe SHBA-të kanë thënë se duhet të kufizohen në mënyrë dramatike.

Teherani ka thënë se arsenali i tij i fuqishëm raketor është i panegociueshëm, megjithëse nuk është e qartë se sa nga këto armë do të mbeten pas luftës.

Një zyrtar pakistanez në rajon tha se Irani mund të presë të sigurojë shumë nga kërkesat e tij, me fokus në rindërtim, dëmshpërblime dhe lehtësim të sanksioneve, por nuk mund të presë të sigurojë një marrëveshje për pasurimin e uraniumit.

Bisedimet e mëparshme janë përqendruar në programin bërthamor dhe raketat e Iranit. Këto çështje tani janë lënë në hije nga fati i Ngushticës së Hormuzit, një pikë kalimi nëpër të cilën rrjedh një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Mbyllja efektive e rrugës ujore nga Irani që nga fillimi i luftës më 28 shkurt ka tronditur ekonominë globale, duke rritur çmimet e naftës.

Teherani ka treguar se sipas një marrëveshjeje të përhershme paqeje, do të kërkojë të ngarkojë një tarifë për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, e cila është vetëm 34 km (21 milje) e gjerë në pikën e saj më të ngushtë midis Iranit dhe Omanit.

Trump kishte kërcënuar se do ta shkatërronte Iranin, nëse Teherani nuk do të binte dakord për një marrëveshje armëpushimi dhe për të rihapur ngushticën.

Nuk kishte asnjë shenjë se Irani e kishte hequr bllokadën e rrugës ujore, e cila ka shkaktuar ndërprerjen më të keqe në furnizimin global me energji në histori, dhe Teherani tha se nuk do të kishte marrëveshje për sa kohë që Izraeli po sulmonte Libanin.

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit tha në një deklaratë se Uashingtoni kishte rënë dakord të pranonte planin 10-pikësh të Iranit dhe se "Shtetet e Bashkuara, në parim, janë zotuar për":

mos-agresion;

kontroll i vazhdueshëm iranian mbi Ngushticën e Hormuzit;

pranimi i pasurimit;

heqjen e të gjitha sanksioneve parësore dhe dytësore;

përfundimin e të gjitha rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Bordi i Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike;

tërheqja e forcave luftarake amerikane nga rajoni;

dhe ndërprerjen e luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe kundër rezistencës islamike në Liban.

Sipas burimeve izraelite, propozimi 15-pikësh i Trump, i dërguar më parë Iranit nëpërmjet Pakistanit, kërkonte heqjen e rezervave të uraniumit të pasuruar shumë nga Irani, ndalimin e pasurimit, frenimin e programit të raketave balistike dhe ndërprerjen e fondeve për aleatët rajonalë.

Ndërsa të dyja palët përgatiten të zhvillojnë negociata, Trump u zotua të mbajë asetet ushtarake në Lindjen e Mesme, derisa të arrihet një marrëveshje paqeje me Iranin dhe paralajmëroi për një përshkallëzim të madh të luftimeve nëse Irani nuk i përmbahet marrëveshjes.

CILAT JANË MUNDËSITË PËR TË ARRITUR NJË MARRËVESHJE TË QËNDRUESHME?

Edhe pse Trump ka shpallur fitoren, Uashingtoni nuk i arriti qëllimet që kishte shpallur për të justifikuar luftën që në fillim të saj: të eliminonte aftësinë e Iranit për të sulmuar fqinjët e tij, të shkatërronte programin e tij bërthamor dhe të krijonte kushte që do ta bënin më të lehtë për iranianët të rrëzonin qeverinë e tyre.

Irani nuk ka gjasa të bëjë lëshime të mëdha në këto pika dhe ka lënë të kuptohet se mund të vazhdojë me durim të luftojë, me Ngushticën e Hormuzit që i jep atij një avantazh ekonomik mbi një armik me fuqi zjarri superiore.

CILI ËSHTË QËNDRIMI I IZRAELIT?

Izraeli, i cili ka goditur aleatin e Iranit, Hezbollahun, në Liban në një konflikt paralel, e sheh Teheranin si një kërcënim ekzistencial.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të donte ndryshimin e regjimit në Iran, edhe pse kjo ndoshta do të kërkonte trupa në terren dhe nuk ka garanci për stabilitet më pas.

Çështja nëse armëpushimi mbulon luftën e Izraelit kundër Hezbollahut, është bërë një pikë ngërçi që kërcënon armëpushimin.

SHBA-ja dhe Izraeli thonë se Libani nuk është i përfshirë në marrëveshje, ndërsa presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka thënë se ndërprerja e armiqësive në Liban, ishte një kusht thelbësor i marrëveshjes së Teheranit me Uashingtonin.

Izraeli tha se kishte rënë dakord për një armëpushim me Iranin, por tha se marrëveshja nuk përfshinte ndalimin e veprimeve ushtarake në Liban.

Një zyrtar izraelit tha se SHBA-të e koordinuan armëpushimin e përkohshëm me Izraelin paraprakisht, duke shtuar se Irani kishte rënë dakord të hapte Ngushticën e Hormuzit pa një angazhim për një fund përfundimtar të luftës, kompensim ose heqje të sanksioneve./ Reuters.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco