Kina ka bërë thirrje për përmbajtje pas sulmeve izraelite ndaj Libanit, mes debateve të ashpra mbi një armëpushim të brishtë në luftën e Iranit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning, tha në Pekin se Kina po u bënte thirrje palëve përkatëse të ruanin qetësinë dhe të ndihmonin në qetësimin e situatës në rajon.
‘Sovraniteti dhe siguria e Libanit nuk duhet të shkelen dhe siguria e jetës dhe pronës së civilëve duhet të garantohet. Kina u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara të ruajnë qetësinë dhe të ushtrojnë përmbajtje për të çtensionuar situatën rajonale’, u shpreh zyrtarja kineze në konferencën me mediat.
Sulmi masiv i Izraelit ndaj objektivave në Liban vrau më shumë se 200 persona dhe plagosi mbi 1,000 të tjerë të mërkurën, sipas ministrit të shëndetësisë të Libanit.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër komandantët e Hezbollahut dhe infrastrukturën ushtarake.
Ndryshe nga Irani, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk e konsiderojnë Libanin të mbuluar nga një armëpushim i shpallur më parë këtë javë.
Irani po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga armëpushimi - i cili përfshin rihapjen e Ngushticës kyçe të Hormuzit - për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit ndaj Hezbollahut, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Fars.
I pyetur në lidhje me armëpushimin midis SHBA-së dhe Iranit, Mao tha se Kina shpresonte që të gjitha palët do ta shfrytëzonin mundësinë për të arritur një armëpushim dhe për t'i dhënë fund luftës përmes kanaleve diplomatike.
Ajo tha se Kina do të vazhdojë të punojë për të qetësuar situatën.
© SYRI.net