Bastioni i kartelit meksikan që po përgatitet si vend pritës për Kampionatin Botëror të Futbollit

Bastioni i kartelit meksikan që po përgatitet si vend pritës për Kampionatin Botëror të Futbollit

10:43, 08/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndërkohë që kampionati botëror po afrohet, një nga qytetet pritëse në Meksikë po përpiqet të projektojë siguri dhe stabilitet përpara syve të botës. Guadalajara, është njëkohësisht edhe bastion i një prej organizatave më të fuqishme kriminale në Meksikë, duke krijuar një kontrast të fortë mes imazhit turistik dhe realitetit në terren.

Në rrugët e qytetit janë vendosur patrulla moderne, mes të cilave edhe automjete si Tesla Cybertruck, si pjesë e përpjekjeve të autoriteteve për të treguar kontroll dhe rend. Por këto masa janë vënë në pikëpyetje pas ngjarjeve të fundit të dhunshme që tronditën rajonin.

Në muajin shkurt, karteli Jalisco Nueva Generación shkaktoi trazira të forta që zgjatën rreth 48 orë, pasi forcat ushtarake eliminuan liderin e saj, Nemesio Oseguera Cervantes. Pamjet e makinave të djegura dhe qytetit të paralizuar u përhapën në mbarë botën, duke ngritur shqetësime serioze mbi aftësinë e Meksikës për të garantuar sigurinë gjatë një eventi global.

Për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, presidentja Claudia Sheinbaum njoftoi një plan të gjerë sigurie, që përfshin vendosjen e rreth 99 mijë forcave federale dhe private në qytetet pritëse, përfshirë Guadalajara dhe Mexico City. Mesazhi i saj ishte i qartë: Meksika është e sigurt për vizitorët.

Por në një artikull të Financial Times, ekspertët theksojnë se një rol kyç në ruajtjen e kësaj “qetësie” e luajnë vetë kartelet. Sipas tyre, grupi kriminal ka interes të drejtpërdrejtë që turneu të zhvillohet pa incidente, pasi përfiton ekonomikisht nga rritja e turizmit dhe investimeve.

“Qyteti është i sigurt sepse ata djemtë kanë hedhur të gjitha paratë këtu, dhe do të fitojnë edhe më shumë,” tha një zyrtar shteti që nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht. “Ata nuk duan luftë këtu.”

Guadalajara konsiderohet si një nga qendrat kryesore financiare të aktivitetit të tyre, ku pastrohen fitime të mëdha nga trafiku i drogës dhe aktivitete të tjera ilegale.

Ky realitet ka krijuar atë që disa e quajnë “paqe kriminale”: një situatë ku dhuna e hapur është e kufizuar, por kontrolli i territorit nga organizatat kriminale mbetet i fortë. Krimet e vogla janë relativisht të ulëta, por në të njëjtën kohë ekziston një klimë frike dhe mungese transparence.

Ndërkohë, qyteti vazhdon të zhvillohet. Një sërë kullash të reja luksoze janë ngritur, disa prej të cilave qëndrojnë bosh. Qyteti i gjelbëruar gjithashtu krenohet me qendra tregtare luksoze në ajër të hapur dhe jetë të gjallë nate.

Megjithatë, pas këtij fasade, qëndrojnë probleme serioze, përfshirë mbi 15 mijë persona të zhdukur në shtetin Jalisco dhe zbulimin e varreve masive pranë zonave urbane.

Autoritetet dhe analistët e sigurisë besojnë se turistët nuk do të jenë objektiv i drejtpërdrejtë gjatë Kupës së Botës, sidomos duke pasur parasysh vëmendjen ndërkombëtare dhe përfshirjen e vendeve si SHBA-të në monitorimin e situatës. Edhe ish-zyrtarë të FBI-së janë shprehur se kartelet kanë interes të shmangin përplasjet gjatë eventit.

Megjithatë, rreziku nuk është zhdukur. Pas vdekjes së liderit të kartelit, ekziston mundësia e përçarjeve të brendshme dhe shpërthimeve të reja dhune. Eksperiencat e mëparshme në Meksikë tregojnë se eliminimi i një figure kyçe shpesh pasohet nga luftëra për pushtet brenda grupeve kriminale.

Për banorët vendas, situata mbetet e ndërlikuar. Shumë prej tyre ndihen të anashkaluar nga masat e sigurisë, të cilat janë përqendruar kryesisht në zonat turistike. Ata druhen se ndërsa vizitorët do të shijojnë eventin, komunitetet lokale do të përballen me pasojat e një stabiliteti të brishtë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco