Starmer do të udhëtojë drejt Gjirit Persik: Marrëveshja, moment lehtësimi për rajonin dhe botën

Starmer do të udhëtojë drejt Gjirit Persik: Marrëveshja, moment lehtësimi për rajonin dhe botën

09:28, 08/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri britanik, Keir Starmer thotë se Mbretëria e Bashkuar do të “bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim”. Në një deklaratë për shtyp, lideri britanik theksoi se marrëveshja mes SHBA dhe Iranit për armëpushimin dy javor është një moment lehtësimi për botën.

“E mirëpres marrëveshjen e armëpushimit të arritur brenda natës, e cila do të sjellë një moment lehtësimi për rajonin dhe botën. Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit.“, u shpreh kryeministri britanik.

Po ashtu, Downing Street njoftoi se Starmer do të udhëtojë drejt Gjirit Persik për t’u takuar me udhëheqësit e vendeve që janë prekur nga sulmet e Iranit.

Në fokus të bisedimeve, mes të tjerash, do të jetë edhe Ngushtica e Hormuzit.

“Kryeministri do të udhëtojë drejt Gjirit për të takuar udhëheqësit e vendeve që kanë qenë në vijën e parë të frontit dhe do të shprehë mbështetjen e tij të plotë për armëpushimin e sapo dakordësuar. Në takimet me udhëheqësit rajonalë, ai do të përsërisë mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar dhe nevojën për një zgjidhje diplomatike afatgjatë për t’u siguruar që armëpushimi të çojë në një marrëveshje të qëndrueshme.

Ai do të zhvillojë bisedime për të siguruar që rihapja e Ngushticës së Hormuzit të mbetet e përhershme, me Mbretërinë e Bashkuar që vazhdon të udhëheqë përpjekjet ndërkombëtare.”, njoftoi zyra e shtypit.

Më herët, presidenti i SHBA njoftoi arritjen e një armëpushimi dy javor me Iranin pas ultimatumit që i kishte vënë se nëse nuk pranonte një marrëveshje do të shihte “ferrin”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco