Çmimi i lartë i karburantit, në Itali zgjatet ulja e akcizës

Çmimi i lartë i karburantit, në Itali zgjatet ulja e akcizës

11:36, 03/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi - Syri

Qeveria italiane ka miratuar një dekret të ri për karburantet, duke zgjatur uljen e akcizës deri më 1 maj. Vendimi u mor në një mbledhje urgjente mëngjesin e sotëm, të Këshillit të Ministrave, në një përpjekje për të përballuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve të naftës dhe benzinës.

Ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, deklaroi në një konferencë për shtyp, “se përveç zgjatjes së masës, dekreti përfshin edhe mbështetje për sektorin bujqësor, duke zgjeruar lehtësitë fiskale të aplikuara më parë për sektorin e peshkimit. Gjithashtu, në paketë përfshihet edhe marrëveshja me shoqatat e kategorive në kuadër të programit “Transizione 5.0”.

Kostoja e përgjithshme e kësaj ndërhyrjeje arrin në rreth 500 milionë euro. Prej tyre, 200 milionë euro do të mbulohen nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, ndërsa 300 milionë euro do të sigurohen nga fondet e papërdorura të skemës ETS, pa prekur fondet e dedikuara për industrinë energji-intensive.

Çmimet e karburanteve
Nafta (diesel) ka kaluar 2.1 euro për litër në të paktën 9 rajone
Bolzano: 2,134 €/litër
Kalabria: 2,116 €/litër
Friuli Venezia Giulia: 2,113 €/litër
Liguria dhe Lombardia: 2,108 €/litër
Puglia dhe Valle d’Aosta: 2,104 €/litër
Basilicata: 2,102 €/litër
Piemonte: 2,100 €/litër
Në autostrada, çmimet janë edhe më të larta: Diesel: 2,137 €/litër; Benzinë: 1,822 €/litër

Shoqata Kombëtare e konsumatorëve Codacons ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë, duke e cilësuar të pamjaftueshëm për të përballuar krizën reale të çmimeve.

Sipas Codacons, rritjet e vazhdueshme në treg kanë “fshirë” plotësisht efektin e uljes së akcizës, duke e kthyer situatën në pikën zero. Organizata thekson se qytetarët vazhdojnë të përballen me çmime të papërballueshme, ndërsa ndërhyrja e qeverisë nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme.

“Prisnim jo vetëm një zgjatje të masës, por një forcim të saj”, thekson Codacons, duke kërkuar ulje më të thellë të taksave për të sjellë realisht çmimet në nivele të pranueshme.

Ministri Giorgetti paralajmëroi gjithashtu për pasoja më të gjera ekonomike, te lidhura me situatën ndërkombëtare dhe krizën energjetike, veçanërisht në lidhje me konfliktin në Iran.

Ai theksoi se nëse situata përkeqësohet, në nivel europian mund të bëhet i pashmangshëm rishikimi i kufirit të deficitit prej 3%, për të përballuar emergjencën ekonomike.

Sipas tij, zhvillimet e ardhshme do të varen nga kohëzgjatja e krizës dhe ndikimi i saj në tregjet globale të energjisë, me pasoja të drejtpërdrejta për ekonomitë e vendeve europiane dhe për xhepat e qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco