Momenti më spektakolar: Astronautët e Artemis II flasin nga hapësira drejt Hënës

Momenti më spektakolar: Astronautët e Artemis II flasin nga hapësira drejt Hënës

08:12, 03/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Misioni Artemis II po vijon me sukses, ndërsa anija kozmike është nisur drejt anës së largët të Hënës, pasi ka lënë orbitën e Tokës. Katër astronautët në bord, së bashku me ekipin mbështetës në Tokë, kanë ndarë detaje mbi ecurinë e misionit deri në këto momente.

Zyrtarët e NASA-s konfirmojnë se gjithçka po shkon sipas planit. Drejtuesja e zhvillimit dhe operacioneve të Artemis, Dr. Lori Glaze, deklaroi se ekuipazhi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se anija po performon shumë mirë. Ajo theksoi se ky është një fluturim testues dhe synimi kryesor është të mblidhen sa më shumë të dhëna mbi funksionimin e anijes.

Ndërkohë, menaxheri i anijes, Howard Hu, u shpreh se ekuipazhi ka pasur një “ngjitje perfekte”, ndërsa sistemi i mbështetjes së jetës po funksionon saktësisht siç ishte parashikuar. Edhe pse astronautët ende nuk kanë komunikuar drejtpërdrejt me familjet e tyre nga hapësira, NASA pritet të mundësojë së shpejti këtë komunikim.

Nga ana tjetër, vetë astronautët kanë ndarë përjetimet e tyre në kushte pa gravitet. Christina Koch, e cila me humor e quan veten “hidraulike e hapësirës”, tregoi se një nga pajisjet më të rëndësishme deri tani ka qenë një pompë thithëse, e përdorur për të zgjidhur problemet fillestare me tualetin e anijes Orion.

Komandanti Reid Wiseman e përshkroi përvojën e gjumit në hapësirë si “komike, por më të rehatshme nga sa mund të imagjinohet”, ndërsa shtoi se Koch fle e pezulluar në ajër “si një lakuriq nate”.

Megjithatë, momenti më i veçantë për ekuipazhin ka qenë pamja e Tokës nga hapësira. Wiseman tregoi se ata kanë mundur të shohin të gjithë globin “nga poli në pol”, duke e cilësuar këtë si “momentin më spektakolar” që i la të katërt astronautët pa fjalë.

I frymëzuar nga kjo përvojë, piloti Victor Glover u bëri thirrje amerikanëve të bashkohen rreth këtij misioni, duke theksuar se ai u ka dhënë të gjithëve diçka që do ta mbajnë mend për gjithë jetën./BBC-Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco