Komisioni Evropian u ka kërkuar ligjvënësve të mbështesin zgjerimin e rregullave që lejojnë zbulimin e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë në komunikimet private, duke paralajmëruar për pasoja serioze nëse ato shfuqizohen.
Në një letër të parë nga DPA, katër komisionerë të BE-së u bënë thirrje anëtarëve të Parlamentit Evropian, të mbështesin zgjatjen e kuadrit aktual përpara një votimi kyç. Mosveprimi në këtë drejtim do të çonte në më pak zbulime, më pak raportime tek forcat e ligjit dhe më shumë pandëshkueshmëri për shkelësit, thanë ata.
Mbrojtja e fëmijëve, jo e autorëve të veprave penale, duhet të mbetet parimi udhëheqës i veprimit të BE-së, shkruan komisionerët Henna Virkkunen, Magnus Brunner, Michael McGrath dhe Glenn Micallef.
Apeli vjen në një kohë kur Parlamenti Europian mund të votojë që rregullat aktuale – të cilat shpesh quhen kontroll i bisedave – të skadojnë më 3 prill. Masat aktualisht lejojnë platforma të tilla si Google, LinkedIn, Meta, Microsoft dhe Snapchat të skanojnë komunikimet për të identifikuar dhe raportuar përmbajtje të paligjshme.
Qasja mbetet e diskutueshme. Disa ligjvënës, përfshirë socialdemokraten gjermane Birgit Sippel, thonë se do të mbështesnin një zgjatje vetëm nëse fuqitë e mbikëqyrjes kufizohen ndjeshëm, për shembull në materiale të njohura dhe dyshime ekzistuese.
Bisedimet me shtetet anëtare kanë dështuar, duke e lënë parlamentin të marrë një vendim për këtë çështje.
Komisionerët i nxitën skeptikët të rishqyrtojnë çështjen, duke paralajmëruar se ngushtimi i fushëveprimit të mbikëqyrjes do të zvogëlonte ndjeshëm zbulimin e hershëm. Dy imazhe ose video të abuzimit seksual të fëmijëve shpërndahen në internet çdo sekondë, thanë ata, me Evropën në qendër të problemit.
Sipas Fondacionit Internet Watch, BE-ja përmban më shumë materiale abuzimi seksual me fëmijë sesa çdo rajon tjetër në botë./ DPA News.
© SYRI.net