Shtetet e Bashkuara pritet të intensifikojnë sulmet ushtarake ndaj Iranit gjatë ditës së sotme, sipas deklaratës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Në një përditësim mbi zhvillimet e luftës, ai u shpreh se ofensiva e radhës do të jetë “goditja më e madhe deri më tani”, duke theksuar se operacionet po vijojnë sipas planit.
Hegseth deklaroi se ndërhyrjet ushtarake amerikane kanë qenë të sakta dhe efektive, duke shtuar se mbrojtja ajrore e Iranit është “neutralizuar” dhe infrastruktura mbrojtëse e vendit është dëmtuar rëndë. Sipas tij, deri më tani janë goditur mbi 7 mijë objektiva ushtarake në territorin iranian.
Ai bëri të ditur gjithashtu se janë shkatërruar më shumë se 120 mjete të marinës iraniane dhe janë eliminuar 11 nëndetëse. Objektivi i SHBA-së, sipas tij, mbetet i pandryshuar: goditja e raketave, lëshuesve dhe bazës industriale ushtarake të Iranit, si dhe dobësimi i flotës detare.
Zyrtari amerikan nuk dha një afat të qartë për përfundimin e operacionit, por theksoi se “gjithçka po ecën në përputhje me planin”.
Ofensiva e përbashkët e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit vijon që nga fundi i shkurtit, duke shkaktuar deri më tani mbi 1.200 viktima.
Nga ana tjetër, Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe trafikun ajror.
© SYRI.net