Italia po planifikon të dërgojë ndihmë ushtarake për vendet e Gjirit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore, pas sulmeve të fundit të Iranit në rajon. Lajmi u bë i ditur të enjten nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Meloni deklaroi se Roma synon të veprojë në koordinim me vendet e tjera evropiane për të forcuar sistemet e mbrojtjes ajrore të shteteve të Gjirit përballë kërcënimeve që vijnë nga sulmet iraniane.
Sipas saj, Italia do të ndjekë një linjë të ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë, të cilat gjithashtu kanë paralajmëruar mbështetje për vendet e rajonit në sektorin e mbrojtjes.
“Si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, edhe Italia synon të dërgojë ndihmë për vendet e Gjirit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe konkretisht të mbrojtjes ajrore”, u shpreh kryeministrja italiane.
Meloni theksoi se ky vendim lidhet jo vetëm me marrëdhëniet e mira që Italia ka me vendet e rajonit, por edhe me praninë e një numri të madh qytetarësh italianë dhe forcash ushtarake në Lindjen e Mesme.
“Aty jetojnë dhjetëra mijëra italianë dhe rreth 2,000 ushtarë italianë janë të dislokuar në rajon, njerëz që ne duam dhe duhet t’i mbrojmë”, theksoi ajo.
© SYRI.net