Aksidenti i rëndë me tramvaj në Milano: një i vdekur dhe mbi 25 të plagosur

Aksidenti i rëndë me tramvaj në Milano: një i vdekur dhe mbi 25 të plagosur

17:28, 27/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në Milano, ku një tramvaj ka dalë nga shinat dhe është përplasur me shpejtësi të lartë në një ndërtesë, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Sipas autoriteteve dhe mediave italiane, tramvaji me numër 9, që ishte në drejtim të stacionit hekurudhor Porta Genova, doli nga shinat rreth orës 16:00, teksa po lëvizte në Viale Vittorio Veneto, në zonën e Porta Venezia.

Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën, ndërsa të paktën 25 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Gjendja shëndetësore e të plagosurve ende nuk është bërë e ditur. Disa persona me lëndime të lehta janë trajtuar menjëherë në vendngjarje nga ekipet mjekësore.

Raportimet paraprake tregojnë se disa persona mbetën të bllokuar nën tramvaj pas përplasjes. Ende nuk është e qartë shkaku i saktë i aksidentit, por po hetohet mundësia që drejtuesi të ketë frenuar fort ose të ketë kryer një manovër të papritur për të shmangur këmbësorë që po kalonin rrugën.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë një numër i madh automjetesh emergjence, përfshirë ambulanca, zjarrfikëse dhe forca policie, të cilat punuan për nxjerrjen e të bllokuarve dhe sigurimin e zonës.

Tramvaji i përfshirë në aksident ishte një model i ri Tramlink, i futur në shërbim në Milano vetëm disa javë më parë. Ai është 25 metra i gjatë, i përbërë nga tre vagona të ndërlidhur dhe ka kapacitet prej 66 vendesh për pasagjerë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco