Oficerë policie të vendosur nga Scotland Yard në shërbim të Prince Andrew thuhet se morën urdhër të ofronin shërbime sigurie gjatë një darke të organizuar nga Jeffrey Epstein në rezidencën e tij në Nju Jork, në vitin 2010, raportojnë mediat britanike.
Sipas gazetës The Sunday Times, e cila publikoi e para lajmin, email-e të përfshira në dosjet e çështjes Epstein dokumentojnë organizimin e qëndrimit të Princit Andrew në shtëpinë e financierit amerikan, së bashku me dy oficerë të Policisë Metropolitane të Londrës.
Në një email të dërguar mbrëmjen para aktivitetit, me subjekt “siguria për festën”, një anëtar i stafit informonte Epstein se dy oficerëve u ishin dhënë “udhëzime për derën”, në kuadër të masave të sigurisë.
Policia britanike njoftoi se është duke kontaktuar ish-oficerë që kanë punuar në të kaluarën për Princin Andrew, duke u kërkuar kujtdo që ka informacione mbi vepra të mundshme seksuale të lidhura me Epstein të paraqitet për të dëshmuar.
Deri tani, autoritetet kanë sqaruar se nuk është konstatuar asnjë shkelje nga ana e efektivëve të sigurisë. E kontaktuar për koment mbi raportimet e fundit, Scotland Yard deklaroi se nuk ka asnjë reagim shtesë për momentin.
© SYRI.net