Komisioni Evropian bën thirrje për qartësi të plotë, mbi masat që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të ndërmarrin pas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme.
Situata aktuale nuk është e favorshme për arritjen e tregtisë dhe investimeve transatlantike “të drejta, të balancuara dhe reciprokisht të dobishme”, siç është rënë dakord nga të dyja palët në Deklaratën e Përbashkët BE-SHBA, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.
“Një marrëveshje është një marrëveshje. Si partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara, BE pret që SHBA-të të përmbushin angazhimet e tyre”, thuhet në një deklaratë nga Komisioni Evropian, raporton agjencia e lajmeve italiane, ANSA.
Nga ana tjetër, shefi i tregtisë së SHBA-së thotë se asnjë vend nuk ka thënë se do të tërhiqet nga marrëveshjet tarifore.
Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, tha të dielën se po zhvillonte biseda aktive me vendet që kishin arritur marrëveshje tarifore me SHBA-në, dhe asnjëra nuk kishte treguar plane për t'u tërhequr pas vendimit të Gjykatës Supreme të së premtes, që rrëzoi një pjesë të madhe të tarifave të Presidentit Donald Trump.
Greer, duke folur në programin "Face the Nation" të CBS, tha se kishte folur tashmë me homologun e tij nga Bashkimi Evropian dhe do të flasë me zyrtarë nga vende të tjera.
"Nuk kam dëgjuar ende askënd të vijë tek unë dhe të më thotë se marrëveshja është anuluar", tha Greer, raporton Reuters.
© SYRI.net