Ahmed al Ahmed, qytetari që ndërhyri dhe çarmatosi njërin nga sulmuesit gjatë ngjarjes së rëndë në Bondi Beach në Sidnej, ka vepruar i udhëhequr nga ndërgjegjja dhe humanizmi, bëjnë me dije familjarët e tij për BBC News.
Babai i tij, Mohamed Fateh al Ahmed, shprehet se i biri nuk ka hezituar në momentin kur ka parë persona të pafajshëm duke u sulmuar. Sipas tij, Ahmed ka reaguar instinktivisht sapo është përballur me skenën e rëndë.
Familjarët tregojnë se ai ndodhej pranë vendngjarjes rastësisht, pasi kishte dalë për kafe me një mik. Në momentin kur ka parë viktimat, gjakun, si edhe gra e fëmijë të shtrirë në rrugë, ai ka vendosur të ndërhyjë.
LEXO EDHE: Heroizmi i një myslimani në Australi është antidoti ndaj urrejtjes dhe terrorizmit
Si pasojë e sulmit, Ahmed al Ahmed ka mbetur i plagosur me armë zjarri në shpatull dhe në dorë. Sipas familjes, gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme dhe ai po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ndërkohë, kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, e ka vizituar Ahmed al Ahmed në spital, duke vlerësuar aktin e tij të guximshëm.
Nga Siria, ku Ahmed ka lindur dhe është rritur, xhaxhai i tij, Mohamed Ahmed al Ahmed, është shprehur se familja ndihet krenare për veprimin e tij, duke theksuar se ndërhyrja e tij ka prekur dhe frymëzuar shumë njerëz.
© SYRI.net