Presidenti amerikan shkroi në një postim në platformën Truth Social se kjo do të “lejojë sistemin amerikan të rikuperohet plotësisht” nga politikat që, sipas tij, kanë dobësuar “përfitimet dhe kushtet e jetesës” së shumë amerikanëve. Ai nuk dha detaje të planit të tij dhe as nuk specifikoi se cilat vende do të preken.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi një shtetas afgan u akuzua për qëllimin me armë të dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington, D.C., nga të cilët njëri ka ndërruar jetë. Trump sugjeroi se incidenti nënvizon një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Njoftimet e mëvonshme të presidentit tregojnë një ashpërsim të mëtejshëm të qëndrimit të tij ndaj emigracionit.
Pas të shtënave, Trump premtoi të largojë nga SHBA çdo të huaj “nga çdo vend që nuk i përket këtu”. Po atë ditë, SHBA pezulloi përpunimin e të gjitha kërkesave të emigracionit nga afganët, duke thënë se vendimi u mor në pritje të një rishikimi të “protokolleve të sigurisë dhe verifikimit”.
Më pas, të enjten, Shërbimi i Shtetësisë dhe Imigracionit (USCIS) njoftoi se do të rishikojë green card-at e lëshuara individëve që kishin emigruar në SHBA nga 19 vende. Njoftimi nuk përmendi drejtpërdrejt sulmin e së mërkurës.
Kur BBC pyeti se cilat vende ishin në listë, agjencia tregoi një proklamatë të qershorit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, ku përfshiheshin Afganistani, Kuba, Haiti, Irani, Somalia dhe Venezuela.
Nuk ka ende detaje të tjera mbi mënyrën se si do të kryhet rishikimi.
Postimi dy-pjesësh i Trump të enjten mbrëma shkoi edhe më tej, duke premtuar se do të “përfundojë të gjitha përfitimet dhe subvencionet federale për joqytetarët”.
"Vendet e botës së tretë"
Në postim, presidenti fajësoi gjithashtu refugjatët për shkaktimin e “disfunksionit social në Amerikë” dhe u zotua të largojë “çdo njeri që nuk është një aset neto” për SHBA-në.
Postimi, të cilin Trump e prezantoi si një “urim të Gëzuar Ditën e Falënderimeve”, ishte i mbushur me gjuhë kundër emigrantëve.
Ai tha se “qindra mijëra refugjatë nga Somalia po pushtojnë tërësisht dikur shtetin e madh të Minesotës”, duke kritikuar edhe ligjvënësit demokratë të shtetit.
“Unë do të ndaloj përgjithmonë migracionin nga të gjitha vendet e Botës së Tretë për t’i lejuar sistemit të SHBA-së të rikuperohet plotësisht,” shkroi presidenti.
Termi “bota e tretë” përdorej më parë për të përshkruar kombet më të varfra dhe në zhvillim.
Shtëpia e Bardhë dhe USCIS ende nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme të planit të Trump, të cilin presidenti nuk e lidhi drejtpërdrejt me sulmin e së mërkurës.
Presidenti kishte vendosur tashmë më herët këtë vit një ndalim udhëtimi për shtetasit e Afganistanit dhe 11 vendeve të tjera, kryesisht në Afrikë dhe Azi. Një ndalim tjetër udhëtimi që synonte disa vende me shumicë myslimane u vendos gjatë mandatit të tij të parë.
Reagimi i Trump ndaj të shtënave të së mërkurës përbën një “shënjestrim” të emigrantëve në SHBA, argumentoi Jeremy McKinney, president i Shoqatës Amerikane të Avokatëve të Emigracionit.
Duke folur për BBC Newsday para deklaratave të fundit të Trump, McKinney theksoi se motivi i sulmuesit nuk ishte i njohur. “Këto çështje ato nuk njohin ngjyrë të lëkurës, nuk njohin kombësi,” tha ai. “Kur një person radikalizohet ose vuan nga një çrregullim mendor, ai mund të vijë nga çdo sfond.”
I dyshuari i sulmit në Uashington është afgan
Seria e njoftimeve erdhi pasi zyrtarët thanë se i dyshuari për të shtënat në Uashington, Rahmanullah Lakanwal, kishte ardhur në SHBA në vitin 2021.
Lakanwal kishte udhëtuar nën një program që ofronte mbrojtje të veçantë emigracioni për afganët që kishin punuar me forcat amerikane pas tërheqjes së SHBA nga Afganistani.
Në atë kohë, talebanët kishin marrë kontrollin e vendit, duke rritur frikën e hakmarrjes ndaj atyre që kishin bashkëpunuar me amerikanët. Drejtori aktual i CIA-s ka thënë se Lakanwal kishte punuar dikur pranë agjencisë.
Lakanwal aplikoi për azil në vitin 2024 dhe kërkesa e tij u miratua më herët këtë vit, sipas një zyrtari që foli për CBS News, partner i BBC-së në SHBA.
Ai u arrestua pas sulmit dhe thuhet se nuk po bashkëpunon me autoritetet.
Trump e cilësoi sulmin si një “akt terrori”.
Ai njoftoi të nesërmen se një nga dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare të plagosur ka ndërruar jetë. Sarah Beckstrom, 20 vjeçe, nga Virxhina Perëndimore, po shërbente në qytet si pjesë e vendosjes së Gardës Kombëtare nga Trump për të luftuar kriminalitetin.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se ajo kishte ardhur vullnetarisht të punonte në Uashington gjatë festës së Falënderimeve.
Anëtari i dytë i Gardës Kombëtare, Andrew Wolfe, 24 vjeç, sipas Trump, “po lufton për jetën”.
© SYRI.net