Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 20-të e protestës qytetare, mijëra protestues vijojnë marshimin nëpër Tiranë

'Po kthehej në hotel me 4 yje'/ Si u shemb ndërtesa gjashtëkatëshe në Madrid që mori 4 jetë

'Po kthehej në hotel me 4 yje'/ Si u shemb ndërtesa gjashtëkatëshe në Madrid që mori 4 jetë

20:26, 08/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Katër persona kanë humbur jetën pasi një ndërtesë gjashtëkatëshe, e cila po rinovohej, është shembur pjesërisht në qendër të kryeqytetit spanjoll, Madrid.

Kryetari i bashkisë së qytetit, José Luis Martínez-Almeida, deklaroi se trupat e dy personave të fundit që ishin raportuar të zhdukur u gjetën të mërkurën në mëngjes, rreth 15 orë pas shembjes së disa kateve të godinës në rrugën Hileras.

Mediat lokale raportojnë se viktimat janë një grua spanjolle 30-vjeçare, që ishte menaxhere e projektit, si dhe tre punëtorë meshkuj nga Mali, Guinea dhe Ekuadori, të moshës ndërmjet 30 dhe 50 vjeç. Tre persona të tjerë janë plagosur.

Ndërtesa, e cila më parë kishte funksionuar si zyrë, po kthehej në hotel. Autoritetet kanë nisur një hetim për ngjarjen.

Shërbimet emergjente spanjolle përdorën dronë dhe qen për të kërkuar të zhdukurit pas shembjes që ndodhi të martën. Dy trupa u gjetën që në mbrëmje.

“Ndajmë të gjithë dashurinë dhe mbështetjen tonë me familjet, miqtë dhe kolegët e viktimave në këtë moment shumë të vështirë,” shkroi Martínez-Almeida në rrjetin social X.

Një punëtor ndërtimi tha për agjencinë e lajmeve Reuters se ishte duke pompuar beton në katet e poshtme të godinës kur ndodhi shembja dhe se kishte vrapuar pasi kishte parë një re të madhe pluhuri.

Pavarësisht shembjes së brendshme, fasada e ndërtesës mbeti e paprekur.

Sipas faqes zyrtare të kompanisë ndërtuese Rehbilita, godina ishte në proces rikonstruksioni të plotë për t’u kthyer në një hotel me katër yje.

Prona ishte ndërtuar në vitin 1965 dhe ka kaluar dy inspektime teknike, në vitet 2012 dhe 2022, sipas regjistrit online të Madridit për “ndërtesat në ndërtim”.

Pas inspektimeve, ndërtesa u klasifikua si “në gjendje të pafavorshme” për shkak të “gjendjes së përgjithshme të fasadës, pjesës së jashtme, mureve ndarëse, çatisë, tarracave të çatisë, si dhe sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve”.

Punimet e rikonstruksionit, të cilat u miratuan nga autoritetet vendore në dhjetor 2024, pritej të zgjatnin dy vite.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco