Administrata Trump ka miratuar një version të ri gjenerik të pilulës abortive mifepristone, një vendim i marrë këtë javë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), i cili ka nxitur zemërim te drejtuesit e lëvizjes kundër abortit.
Miratimi i së martës erdhi më pak se dy javë pasi sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., dhe drejtori i FDA-së, Martin Makary, njoftuan se departamenti po kryente një rishikim të sigurisë së pilulave të abortit, një vendim që aktivistët antiabort e kishin përshëndetur. Tani, të njëjtët aktivistë po vënë në pikëpyetje angazhimin e administratës ndaj kauzës së tyre, duke shënuar kundërshtimin e parë serioz që Trump merr nga baza e tij e konservatorëve socialë.
"Ky është një vendim jashtëzakonisht zhgënjyes. Jemi tepër të zhgënjyer," tha Kristi Hamrick, zëdhënëse e Students for Life ofAmerica. Hamrick e quajti vendimin e FDA-së "e kundërta e shqyrtimit sipas standardit të artë" që udhëheqësit kundër abortit besonin se ishte në proces, duke pyetur pse FDA-ja do ta miratonte ilaçin para nisjes së studimit të sigurisë.
"Është një kaos total," tha Marjorie Dannenfelser, presidente e Susan B. Anthony Pro-Life America. Ajo shtoi se do të ishte "shumë e thjeshtë" për administratën të rikthente kufizimet që presidenti Biden kishte hequr gjatë pandemisë.
Senatori Josh Hawley (R-Misuri) tha se kishte "humbur besimin te drejtuesit e FDA-së." Ish-zv/presidenti Mike Pence e quajti vendimin "një tradhti të plotë ndaj lëvizjes pro-jetës që zgjodhi presidentin Trump" dhe kërkoi shkarkimin e Kennedy-t.
Zëdhënësi i HHS-së, Andrew Nixon, tha se FDA-ja "ka diskrecion shumë të kufizuar për të vendosur nëse duhet të miratojë një ilaç gjenerik." Me ligj, sekretari i HHS-së duhet të miratojë aplikimet që tregojnë se ilaçi gjenerik është identik me ilaçin me emër tregtar. Aplikimet për gjenerikë nuk kërkojnë prova për siguri apo efektshmëri. Nixon theksoi se HHS "po kryen një studim të efekteve anësore të raportuara të mifepristone për t'u siguruar që programi i FDA-së për menaxhimin e rrezikut të ilaçit është i mjaftueshëm."
Megjithatë, FDA-ja mund të vonojë miratimet e ilaçeve gjenerike duke kërkuar më shumë të dhëna. Agjencia i mori 10 vjet për të miratuar versionin e parë gjenerik në vitin 2019, i cili gjithashtu nxiti reagime të ashpra.
Aplikimi për ilaçin u paraqit nga kompania Evita Solutions në tetor 2021, me miratimin efektiv të martën. Aktivistët kundër abortit vunë në dukje se deklarata e misionit të kompanisë thotë se ajo ekziston për të "normalizuar abortin." Disa aktivistë kishin marrë sinjale për miratimin e pritshëm dhe kishin filluar të ngrinin alarmin në Kongres. Ende nuk është e qartë nëse Shtëpia e Bardhë ishte në dijeni.
Aktivistët antiabort janë përqendruar tek mifepristone, që tani përdoret në më shumë se 6 nga 10 aborte në SHBA. Gratë gjithnjë e më tepër po e përdorin për të ndërprerë shtatzënitë, veçanërisht në shtetet që ndaluan abortin pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të shfuqizuar Roe v. Wade në vitin 2022. Gjendja aktuale është se 16 shtete kanë pothuajse ndalim total, por grupe të ndryshme vazhdojnë të dërgojnë pilula aborti me postë në ato shtete, duke nxitur beteja ligjore.
Aktivistët konservatorë kanë shtyrë administratën Trump të rivendosë rregulla më të ashpra mbi shpërndarjen e ilaçit. Administratat Obama dhe Biden i lehtësuan këto rregulla, duke lejuar që të përshkruhej më vonë gjatë shtatzënisë dhe pa vizitë të detyrueshme tek mjeku.
Muajin e kaluar, Kennedy dhe Makary u shkruan 22 prokurorëve të përgjithshëm republikanë të shteteve se agjencia do të kryente një rishikim të ri të sigurisë, duke cituar një studim të debatueshëm që pretendonte se më shumë gra përjetojnë efekte anësore se sa ishte menduar më parë.
Trump është vetëquajtur "presidenti më pro-jetës në historinë e kombit tonë," një pretendim që aktivistët kundër abortit e kanë përqafuar. Trump merr meritat për sigurimin e shfuqizimit të Roe v. Wade dhe së fundmi ndaloi financimin nga Medicaid për klinikat që ofrojnë shërbime aborti.
Megjithatë, Trump herë pas here ka kundërshtuar kërkesat e aktivistëve. Ai hodhi poshtë thirrjet gjatë garës së vitit 2024 për të mbështetur një kufi kombëtar 15-javor për abortin dhe zbuti gjuhën kundër abortit në platformën e Partisë Republikane.
Liderët kryesorë të lëvizjes pro-jetës vazhdojnë t'i bëjnë thirrje Trump-it në mënyrë diplomatike. "Njerëzit inteligjentë brenda lëvizjes pro-jetës nuk duan të futen në luftë me administratën,"tha një konsulent që punon me organizatat antiabort. "Nëse bën diçka që e sikletos Trump-in, atëherë Trump-i bëhet më i vendosur dhe këtë nuk e dëshiron askush."
© SYRI.net