Nga Alba Kepi
“Mu lut që të bëja një foto me të, më erdhi keq për të.” Kështu është shprehur Presidenti amerikan Donald Trump duke iu referuar Giorgia Melonit gjatë një bisede telefonike në emisionin L’Aria che tira në La7.
I kontaktuar me telefon nga gazetari Daniele Compatangelo për të komentuar çështjet kryesore ndërkombëtare pas samitit G7 në Evian, presidenti amerikan e zhvendosi menjëherë bisedën te kryeministrja italiane.
“Nuk di çfarë t’ju them! Ajo mu lut që të bëja një foto me të! E donte aq shumë një foto me mua. Mund të mos e kisha bërë fare, por më erdhi keq për të!”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Reagimi i Melonit
Kryeministrja italiane reagoi menjëherë:
“Disa gjëra meritojnë një përgjigje të menjëhershme: deklaratat e Donald Trump janë krejtësisht të shpikura. Sinqerisht jam e habitur. Nuk e di pse Presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet kështu me aleatët e tij; nuk është hera e parë që ndodh. Mund të them vetëm se më vjen keq që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe të Shteteve të Bashkuara, ndaj udhëheqësve me të cilët shpesh tregohet shumë më i butë. Por një gjë duhet ta mbajë mend: unë dhe Italia nuk përgjërohemi kurrë.”
Këtë deklaratë Meloni e publikoi në Instagram.
Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, telefonoi kryeministren për t’i shprehur solidaritetin e tij.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi në X se kishte anuluar pjesëmarrjen në Forumin e Biznesit Itali–SHBA, të planifikuar për 21–22 qershor në Miami, pas deklaratave të Trumpit.
“Fjalët e rënda dhe fyese të Presidentit Trump ndaj Kryeministres Giorgia Meloni fyejnë gjithë Italinë. Për këtë arsye kam vendosur të anuloj vizitën time në Shtetet e Bashkuara të planifikuar për 21 dhe 22 qershor,” shkroi ai.
Gjatë kësaj vizite, Tajani pritej të takohej me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Solidaritet me Melonin shprehën edhe disa ministra të tjerë të qeverisë italiane.
Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi:
“Nuk mund ta imagjinoj Giorgia Melonin t’i kërkojë një fotografi askujt, madje as nën kërcënim. Mund të imagjinoj, përkundrazi, sa shumë i ka kushtuar të lërë mënjanë atë që Trump kishte thënë javë më parë, për të mbrojtur interesat e Italisë, Evropës dhe Perëndimit. Dhe mund të imagjinoj sa shumë do t’i kushtojë të mos reagojë ashtu siç do ta meritonte kjo gafë e re e Presidentit amerikan. Ajo që dhemb është se deklarata të tilla nuk i bëjnë mirë askujt: as SHBA-së, as Italisë, as aleancës mes tyre.”
Intervista e Trumpit
Sipas raportimit të emisionit L’Aria che tira, Trump tha se nuk ishte i detyruar të fliste me Melonin dhe se gjatë takimit të tyre të parë pas tensioneve të javëve të fundit, kryeministrja italiane i ishte lutur për një fotografi të përbashkët, gjë që, sipas tij, i kishte ngjallur keqardhje.
Duke komentuar aktualitetin, Trump kritikoi ashpër Evropën për mënyrën e menaxhimit të emigracionit dhe furnizimit me energji.
© SYRI.net