Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Shqipëria në revoltë kundër Edi Ramës

Rritja e nivelit të detit kërcënon mbi 100 milionë ndërtesa. Ku ndodhet Evropa?

Rritja e nivelit të detit kërcënon mbi 100 milionë ndërtesa. Ku ndodhet Evropa?

18:04, 06/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një raport i ri shkencor paralajmëron se miliona ndërtesa në mbarë botën mund të përmbyten nëse bota nuk ndërmerr masa urgjente për të frenuar emetimet e lëndëve djegëse fosile. Sipas studimit, rritja e nivelit të detit është një pasojë “e ngadaltë, por e pandalshme” e ngrohjes globale, e cila do të ndikojë në infrastrukturën bregdetare për shekuj me radhë.

Studimi, i botuar në revistën Urban Sustainability, është vlerësimi i parë në shkallë globale, ndërtesë pas ndërtese, mbi të ardhmen e infrastrukturës në zonat bregdetare të Jugut Global, përfshirë Afrikën, Azinë Juglindore dhe Amerikën Qendrore e Jugore. Duke përdorur harta satelitore dhe të dhëna të sakta mbi lartësinë, shkencëtarët analizuan ndikimin e skenarëve të ndryshëm të rritjes së nivelit të detit – nga 0.5 deri në 20 metra.

Edhe rritja më e ulët, që mund të ndodhë edhe nëse emetimet reduktohen ndjeshëm, do të çonte në përmbytjen e rreth tre milionë ndërtesave. Në skenarët më të rëndë, ku niveli i detit mund të ngjitet me mbi pesë metra në disa qindra vjet, mbi 100 milionë ndërtesa do të ishin në rrezik.

“Rritja e nivelit të detit është një pasojë e pandalshme e ngrohjes globale,” tha profesoresha Natalya Gomez nga Universiteti McGill, bashkautore e studimit.
“Nëse nuk ndalojmë shpejt djegien e lëndëve djegëse fosile, kjo rritje mund të vazhdojë për shumë metra.”

Profesori Jeff Cardile, bashkautor i studimit, theksoi se lagje të tëra dhe infrastrukturë kritike në zona të ulëta bregdetare janë veçanërisht të rrezikuara, duke nënvizuar nevojën për planifikim afatgjatë dhe mbrojtje të qëndrueshme.

Evropa nuk është e përjashtuar

Ndërsa studimi fokusohet te Jugu Global, Evropa po përballet gjithashtu me pasoja të rënda nga rritja e nivelit të detit. Një studim i vitit të kaluar, botuar në Scientific Reports, vlerësoi se dëmet ekonomike në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar mund të arrijnë 872 miliardë euro deri në vitin 2100, nëse emetimet mbeten të larta.

Rajonet më të goditura pritet të jenë Veneto dhe Emilia-Romagna në Itali, Zachodniopomorskie në Poloni, si dhe zona përgjatë Detit Baltik, bregdetit belg, Francës perëndimore dhe Greqisë.
Shembuj të ndikimeve tashmë të dukshme përfshijnë përmbytjet katastrofike në Venecia (2019) dhe dëmet strukturore në sitet historike të Delosit në Greqi.

Ekspertët theksojnë se veprimet e menjëhershme për uljen e emetimeve janë thelbësore për të shmangur një krizë të përhershme mjedisore dhe ekonomike që mund të prekë miliona njerëz në dekadat dhe shekujt e ardhshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco