Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Shqipëria në revoltë kundër Edi Ramës

Skandal në Izrael, paralajmërimi për sulmin e 7 tetorit mbërriti 2 orë me vonesë!

Skandal në Izrael, paralajmërimi për sulmin e 7 tetorit mbërriti 2 orë me vonesë!

16:07, 06/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shërbimi izraelit i sigurisë së brendshme, Shin Bet, kishte dërguar një paralajmërim për një mundësi të “aktivitetit ofensiv të Hamasit” më 7 tetor 2023, në orën 03:03 të mëngjesit.

Por sipas një hetimi të policisë, raporton Haaretz, paralajmërimi mbërriti tek forcat policore vetëm në orën 07:03, gjysmë ore pas nisjes së operacionit “Përmbytja e Al-Aksasë”. Shkaku, sipas hetimit, ishte një përditësim i sistemit të transmetimit të të dhënave të Shin Bet, i nisur një ditë më parë.

Ky problem teknik bëri që policia, e cila kishte përgjegjësinë për sigurinë e festivalit Nova, të mësonte për ekzistencën e paralajmërimit pas orës 8:00, shumë vonë për të ndalur tragjedinë…

Sipas Haaretz, paralajmërimi i Shin Bet bazohej në faktin se kartat SIM izraelite të aktivizuara nga anëtarë të Hamasit në Gaza po regjistronin aktivitet të pazakontë. Në mesazhin e dërguar nga Shin Bet thuhej se mund të bëhej fjalë për një “aktivitet ofensiv”, por pa të dhëna të sakta.

Akuza dhe tensione mes institucioneve izraelite

Policia akuzon Shin Bet për moskoordinim dhe vonesë, duke thënë se paralajmërimi nuk ishte kategorizuar si urgjent.

“Shin Bet di si të na informojë kur është e nevojshme. Atë natë nuk dëgjuam asgjë nga ata, madje as pasi nisi sulmi”, tha një zyrtar i lartë i policisë për Haaretz.

Një tjetër burim policor thotë se forcat u thirrën në jug vetëm pasi raketat kishin nisur dhe militantët kishin hyrë në territorin izraelit, gjë që tregon se informacioni i duhur nuk ishte marrë më herët.

Hetime të tjera kanë treguar se edhe një zyrtar i lartë i ngarkuar me sigurinë e festivalit Nova vendosi të mos shtonte forcat e sigurisë 1 orë para sulmit, pavarësisht paralajmërimeve për aktivitet të pazakontë të Hamasit.

Bilanci i 7 tetorit

Sulmi i Hamasit, i nisur rreth orës 06:30 të mëngjesit, shkaktoi një masakër në festivalin Nova: të paktën 370 persona u vranë dhe 44 u morën peng. Në total, 1 219 njerëz u vranë në Izrael gjatë operacionit “Përmbytja e Al-Aksasë”, shumica civilë, sipas të dhënave zyrtare.

Në anën tjetër, kundërpërgjigja e Izraelit ka shkaktuar deri tani të paktën 67 mijë viktima, kryesisht civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco