Komanda e Mbrojtjes Aero-hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD) njoftoi zbulimin e 4 avionëve ushtarakë rusë pranë hapësirës ajrore të Alaskës, duke përfshirë dy bombardues strategjikë Tupolev Tu-95 dhe dy avionë luftarakë Sukhoi.
Avionët u identifikuan brenda Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (ADIZ) të Alaskës, por nuk hynë në hapësirën ajrore të SHBA-së apo Kanadasë.
Sipas NORAD, forcat ajrore amerikane dhe kanadeze ngritën menjëherë avionët e tyre për t’i shoqëruar dhe monitoruar lëvizjet e mjeteve ruse.
‘Avionët rusë nuk përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë, por u ndoqën nga afër për të garantuar sigurinë kombëtare,’ thuhet në deklaratën zyrtare.
Kjo zonë, edhe pse ndërkombëtare, monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga dy vendet për të parandaluar hyrje të paautorizuara që mund të kërcënojnë sigurinë ajrore.
Incidenti vjen në një kohë kur vendet europiane të NATO-s si Estonia, Polonia, Rumania, Gjermania, Danimarka dhe Norvegjia kanë raportuar shkelje të përsëritura të hapësirës ajrore nga avionë dhe dronë rusë. Analistët paralajmërojnë se frekuenca e këtyre manovrave po rrit rrezikun e përplasjeve aksidentale.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se vendet e NATO-s ‘duhet të rrëzojnë çdo mjet ajror rus që shkel hapësirën e tyre ajrore’, por shtoi se mbështetja amerikane ‘varet nga rrethanat’.
Eksperti i sigurisë ajrore, Prof. Mark Davis nga Universiteti i Georgetown, thotë se fluturime të tilla janë ‘pjesë e lojës së zakonshme strategjike mes fuqive të mëdha’.
‘Nuk është e pazakontë që Rusia të dërgojë bombardues pranë Alaskës disa herë në vit. Por, kur këto incidente ndodhin njëkohësisht me tensione në Evropë, ato përforcojnë narrativën e një presioni të qëllimshëm ndaj NATO-s,’ thekson Davis.
© SYRI.net