Lidhur me sulmet e fundit me dronë ndaj aeroporteve daneze kanë ardhur edhe reagimet nga autoritetet, të cilët thonë se janë të bindur se kanë të bëjnë me një operator të aftë dhe profesional - dhe jo vetëm me dronë të paligjshëm në pronësi private.
Ky ishte përfundimi në fakt i Ministrit të Mbrojtjes së Danimarkës, Troels Lund Poulsen, i cili e përkufizoi sulmin gjithashtu si hibrid.
“Nuk ka dyshim se gjithçka tregon se kjo është puna e një aktori profesionist kur flasim për një operacion kaq sistematik në kaq shumë vende në të njëjtën kohë. Kjo është ajo që unë do ta përkufizoja si një sulm hibrid duke përdorur lloje të ndryshme dronësh”, tha ministri Troels Lund Poulsen.
Nga ana tjetër Danimarka po shqyrton kërkesën për bisedime, sipas Nenit 4 të NATO-s, por ende nuk ka një vendim nëse do ta kërkojë zyrtarisht, pasi Polonia dhe Estonia e bënë këtë javët e fundit.
‘Është duke u shqyrtuar’, thotë ministri i mbrojtjes Poulsen, por konfirmon se ka një angazhim aktiv me BE-në dhe NATO-n për këtë çështje.
Ekziston një urgjencë e caktuar për zgjidhjen e krizës së dronëve, pasi Kopenhageni do të presë udhëheqësit e BE-së të mërkurën e javës së ardhshme. Operacioni i sigurisë në vend do të jetë "shumë, shumë i madh", thonë zyrtarët.
Incidentet hibride 'kanë për të qëndruar', paralajmërojnë ministrat, ndërsa planifikojnë të rrisin mbrojtjen kundër dromëve.
Ministri i Mbrojtjes dhe i Drejtësisë, paralajmërojnë se rreziku i incidenteve hibride “do të qëndrojë” dhe ka të ngjarë të vazhdojë në ditët dhe javët në vijim, me qëllimin për të “krijuar frikë, për të krijuar përçarje”.
Shefi i policisë kombëtare konfirmon gjithashtu se ka pasur raportime për incidente në objektet ushtarake.
Qeveria do të kërkojë të sigurojë “aftësi të përmirësuara” për t’u përballur me kërcënimin në zhvillim dhe të përditësojë legjislacionin e saj, për t’u lejuar pronarëve të infrastrukturës të rrëzojnë dronët më lehtë.
Por ministri i mbrojtjes, Troels Lund Poulsen , këmbëngul se nuk kishte asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak kundër Danimarkës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ministrat thanë gjithashtu se aktualisht nuk ka prova që të lidhin sulmet me Rusinë, megjithëse përmendin kalimthi incidente të tjera në Evropë që i janë atribuar Rusisë dhe thonë se incidentet mund të synojnë të minojnë mbështetjen e Danimarkës për Ukrainën.
Danimarka është zgjuar përsëri nga raportimet për dronë të paidentifikuar në hapësirën e saj ajrore gjatë natës, duke detyruar një mbyllje të përkohshme të aeroportit të Aalborgut në mbrëmje vonë, dhe duke shkaktuar shqetësime për praninë e tyre në të paktën tre vende të tjera, duke përfshirë edhe ato pranë bazave ushtarake.
Incidentet vijnë vetëm disa ditë pasi aeroporti i Kopenhagenit pa fluturimet të ndaleshin për disa orë, pas raportimeve për pamje të dronëve.
Në një konferencë për shtyp të thirrur me nxitim vonë në mbrëmje, autoritetet shpjeguan se kishte disa ngjashmëri midis dy ngjarjeve, por nuk mund të ofronin më shumë qartësi se kush ishte pas incidenteve./ The Guardian.
© SYRI.net