Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është në një pozicion të favorshëm për të fituar luftën dhe për të rikthyer territoret e saj në kufijtë fillestarë.
“Pas njohjes dhe kuptimit të plotë të situatës ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës dhe Rusisë, dhe pasi pashë vështirësitë e mëdha ekonomike që kjo luftë po i shkakton Rusisë, besoj se Ukraina, me mbështetjen e BE-së, është në gjendje të luftojë dhe të fitojë të gjithë territorin e saj në formën origjinale. Me kohë, durim dhe ndihmë financiare nga Evropa, veçanërisht NATO, rikthimi i kufijve ku nisi kjo luftë është shumë i mundshëm. Pse jo?”, u shpreh Trump.
Ai e përshkroi Rusinë si një “tigër prej letre”, duke theksuar se pas tre vjetësh e gjysmë luftë, Moska nuk ka arritur rezultate. “Kur njerëzit në Moskë dhe qytetet e mëdha të Rusisë të kuptojnë se çfarë po ndodh realisht, kur të shohin mungesën e karburantit dhe vështirësitë e ekonomisë së luftës, ku shumica e parave shpenzohen vetëm për të luftuar Ukrainën, atëherë Ukraina do të ketë mundësi jo vetëm të rikthejë vendin në formën e tij të plotë, por ndoshta edhe të shkojë më tej,” shtoi ai.
Trump paralajmëroi se Putini dhe Rusia ndodhen në “vështirësi të mëdha ekonomike” dhe theksoi se “ky është momenti i duhur që Ukraina të veprojë”.
Në fund, ai tha se SHBA do të vazhdojë furnizimin e armëve për NATO-n, që Aleanca të vendosë se si do t’i përdorë ato. “Uroj të dy vendet mirë. Fat të mbarë për të gjithë!”, përfundoi Trump.
Deklarata e Trump:
DONALD J. TRUMP, PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Pas njohjes dhe kuptimit të plotë të situatës ushtarake dhe ekonomike mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe pasi pashë vështirësitë ekonomike që kjo luftë po i shkakton Rusisë, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në një pozicion të tillë që të luftojë dhe të FITOJË duke rikthyer të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale.
Me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe, në veçanti, të NATO-s, kufijtë origjinalë nga ku nisi kjo luftë janë shumë të arritshëm. Pse jo? Rusia ka qenë duke luftuar kot për tre vjet e gjysmë, një luftë që një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar për më pak se një javë.
Kjo nuk është për të nënvlerësuar Rusinë. Në fakt, kjo e bën atë të duket si një “tigër prej letre.” Kur njerëzit që jetojnë në Moskë dhe në të gjitha qytetet, qytezat dhe distriktet e mëdha të Rusisë të kuptojnë se çfarë po ndodh realisht me këtë luftë — faktin që është pothuajse e pamundur për ta të sigurojnë karburant përmes radhëve të gjata që po krijohen, dhe gjithë problemet e tjera që po ndodhin në ekonominë e tyre të luftës, ku shumica e parave po shpenzohen për të luftuar Ukrainën, e cila ka Shpirt të Madh dhe vetëm po forcohet — atëherë Ukraina do të jetë në gjendje të marrë sërish vendin e saj në formën e tij origjinale dhe, kush e di, ndoshta edhe të shkojë më tej se kaq!
Putini dhe Rusia janë në VËSHTIRËSI të MËDHA ekonomike, dhe ky është momenti për Ukrainën të veprojë.
Në çdo rast, unë uroj të dy vendet për më të mirën. Ne do të vazhdojmë të furnizojmë armë për NATO-n, që NATO të bëjë çfarë të dojë me to. Fat të mbarë për të gjithë!
© SYRI.net