Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka paralajmëruar se pavarësia dhe e ardhmja evropiane e vendit të saj janë në rrezik, pasi policia arrestoi dhjetëra persona të akuzuar për përfshirje në një komplot për të nxitur trazira të dhunshme, të mbështetura nga Rusia.
Vetëm disa ditë para zgjedhjeve vendimtare parlamentare të së dielës, policia moldave deklaroi se kishte sekuestruar armë dhe eksplozivë gjatë bastisjeve në mbarë vendin.
Autoritetet pretendojnë se disa nga 74 të ndaluarit kishin udhëtuar në Serbi për t’u trajnuar nga instruktorë rusë, përfshirë edhe me armë zjarri.
Duke iu drejtuar kombit të vet, presidentja Sandu akuzoi Kremlinin se ka derdhur “qindra miliona euro” në Moldavi me qëllim për të nxitur dhunë, për të përhapur dezinformim dhe për të krijuar frikë.
“Kremlini beson se ne jemi të gjithë në shitje. Se jemi shumë të vegjël për të rezistuar. Se nuk jemi një shtet, por vetëm një territor,” deklaroi presidentja, duke theksuar përfshirjen ruse në nivelet më të larta. “Por Moldavia është shtëpia jonë. Dhe shtëpia jonë nuk është në shitje.”
Partitë pro-ruse e kanë akuzuar Sandun se po përpiqet t’i frikësojë ato dhe të ndikojë në rezultatin e votimit. Sandu gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të saj që të dalin dhe të votojnë të dielën, në një proces ku forcat pro-ruse pritet të trondisin balancën aktuale pro-BE. Shumica parlamentare e partisë së saj, Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS), është në rrezik.
Për Sandun, pjesëmarrja e lartë veçanërisht nga diaspora është vendimtare.
Sjellim ndërmend se Moldavia shpalli pavarësinë më shumë se 30 vite më parë, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, por ka një popullsi të konsiderueshme rusisht-folëse. Rajoni i shkëputur i Transnistrisë, i mbështetur nga Moska, ende strehon një kontingjent trupash ruse.
Për vite me radhë, ndikimi i Moskës ka qenë i ndjeshëm në politikën moldave. Por nën drejtimin e presidentes Sandu, vendi ka nisur bisedimet për anëtarësim në BE dhe vitin e kaluar zhvilloi një referendum, ku votuesit vendosën që objektivi për anëtarësim në BE të përfshihet në kushtetutë. Ky referendum ishte një nismë e vetë presidentes, një përpjekje për të “vulosur” rrugën evropiane të Moldavisë.
Në fund, vota “pro” fitoi me një diferencë të vogël prej 50.4% kundrejt 49.5%.
© SYRI.net