Kina është futur në gatishmëri të lartë, teksa tajfuni supertropikal Ragasa, që pritet të jetë stuhia më e fuqishme në botë për vitin 2025, pritet të godasë provincën jugore të Guangdong dhe Rajonin Special Administrativ të Hong Kongut.
Autoritetet raportojnë se deri tani janë evakuuar të paktën 400,000 njerëz, ndërsa janë mbyllur shkolla, biznese dhe fabrika në të paktën 10 qytete kryesore, përfshirë Chaozhou, Zhuhai, Dongguan dhe Foshan. Vetëm në qytetin e Shenzhen, qendra teknologjike e Kinës, janë përgatitur mbi 800 strehimore emergjente për banorët e prekur.
Më shumë se 700 fluturime që niseshin ose mbërrinin në zonën e prekur janë pezulluar deri të enjten në mëngjes, për shkak të erërave me forcë uragani, me shpejtësi që arrijnë deri në 220 km/orë.
Observatori Meteorologjik i Hong Kongut njoftoi se është gati të rrisë nivelin e alarmit në Nivelin 8, që do të çonte në mbylljen e pothuajse të gjitha bizneseve dhe shërbimeve të transportit publik.
Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në mbrëmje ose herët të mërkurën, nëse era dhe shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë valë stuhie dhe përmbytje të rrezikshme. Niveli i ujit në disa zona bregdetare të Hong Kongut pritet të rritet deri në 4-5 metra, duke rrezikuar dëme të ngjashme me ato të shkaktuara nga tajfunet Hato (2017) dhe Mangkhut (2018), që sollën humbje ekonomike prej miliarda dollarësh.
Para se të afrohej Kinës, Ragasa kaloi mbi Filipinet veriore, duke detyruar Presidentin Ferdinand Marcos Jr. të urdhërojë gjendjen e gatishmërisë së lartë dhe mobilizimin e plotë të agjencive qeveritare për parandalim dhe ndihmë.
Edhe Tajvani ka ndërmarrë masa urgjente, duke evakuuar mbi 6,000 banorë nga zonat jugore dhe lindore të ishullit, ndërsa transporti publik është kufizuar ndjeshëm.
© SYRI.net