Koalicioni i krahut të djathtë i Suedisë premtoi një bonus shpenzimesh prej 80 miliardë koronash (8.5 miliardë dollarë) në buxhetin e vitit 2026 të hënën, duke thënë se financat e forta i dhanë hapësirë për të përshpejtuar rritjen e ngadaltë, përpara zgjedhjeve të përgjithshme shtatorin e ardhshëm.
Gjendja financiare e vendit nordik është një përjashtim, ndërsa vende të tjera në Evropë, si Franca dhe Britania, përballen me zgjedhje të vështira shpenzimesh, ndërsa përpiqen të menaxhojnë kërcënimet e brendshme dhe globale, ndërkohë që mbajnë nën kontroll borxhin qeveritar në rritje.
"Ne kemi financa qeveritare të klasit botëror; kemi borxh të ulët qeveritar dhe ndërsa të tjerët po luftojnë me kosto të larta të borxhit, ne nuk po luftojmë", u tha gazetarëve Ministrja e Financave, Elisabeth Svantesson.
"Ne kemi një pozicion të fortë dhe mund ta përdorim forcën tonë."
Uljet e taksave për punëtorët, pensionistët dhe kompanitë, ulja e TVSH-së për ushqimet dhe më shumë para për mbrojtjen, ishin ndër masat kryesore në projektligjin më të gjerë të shpenzimeve që nga pandemia COVID-19.
Buxheti përmbante gjithashtu më shumë para për shkollat, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen civile, si dhe pagesa më të larta për strehim për familjet me të ardhura të ulëta.
Ekonomia e Suedisë, si shumë vende të tjera të BE-së, ka ngecur në një ritëm të ngadaltë, me familjet dhe bizneset e pasigurta në lidhje me ndikimin e një lufte tregtare globale të nisur nga Presidenti Donald Trump dhe ende duke vuajtur pas një periudhe inflacioni që arriti kulmin në mbi 10%.
Por ndryshe nga vende si Franca të cilat po përpiqen të ulin shpenzimet dhe të ulin borxhin, Suedia ka hapësirë për bujari fiskale. Borxhi qeveritar është rreth 32% e PBB-së, krahasuar me rreth 90% në të gjithë Evropën.
Edhe pasi u zotua të shpenzonte 3.5% të PBB-së për mbrotje dhe të merrte hua rreth 220 miliardë korona për të financuar centrale të reja bërthamore, borxhi ka të ngjarë të mbetet nën 35% të PBB-së.
Bolanza e shpenzimeve mund të lehtësojë presionin mbi bankën qendrore për të ulur normën e saj të interesit. Në gusht, Riksbank la derën hapur për një ulje të normës së interesit para fundit të vitit, por inflacioni mbetet shumë mbi objektivin.
Banka qendrore do të njoftojë vendimin e saj të radhës për normën e interesit më 23 shtator./ Reuters.
© SYRI.net