Mes lotëve dhe thirrjeve politike, mijëra konservatorë nderojnë Charlie Kirkun

Mes lotëve dhe thirrjeve politike, mijëra konservatorë nderojnë Charlie Kirkun

23:00, 21/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Glendale, Arizona – Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të dielën në stadiumin “State Farm” për t’i dhënë lamtumirën Charlie Kirkut, themeluesit të organizatës konservatore Turning Point USA, i vrarë më 10 shtator gjatë një aktiviteti publik.

Ceremonia ishte një përzierje emocionesh, lutjesh dhe mesazhesh politike, duke e kthyer kujtimin e tij në një thirrje për të vazhduar kauzën që ai përfaqësoi.

Në skenë, bashkëshortja e tij, Erika Kirk, foli me tone të forta:
“Ju nuk e dini zjarrin që keni ndezur brenda kësaj gruaje; britmat e kësaj vejushë do të përhapen si klithmë beteje përreth botës.”

Ajo njoftoi se do të marrë drejtimin e Turning Point USA, duke e premtuar vijimin e misionit të burrit të saj.

Një nga donatoret e organizatës, Rebecca Dunn, tha se Kirk i kishte kthyer besimin tek politika në një moment zhgënjimi:
“Ne do të përballemi me këtë sfidë për liri, për familje dhe për besim, me një zemër që e do Zotin.”

Në memorial foli edhe presidenti Donald Trump, i cili e përshkroi Kirkun si “një njeri të madh, me ndikim të jashtëzakonshëm tek të rinjtë”. Trump e quajti këtë një ditë zie, por edhe një mundësi për reflektim dhe përkujdesje ndaj trashëgimisë së tij.

Pjesë e ceremonisë ishin edhe këngë adhurimi me frymë fetare, si dhe thirrje për bashkim rreth vlerave konservatore. 

Organizatorët kishin kërkuar që pjesëmarrësit të visheshin me ngjyrat patriotike të flamurit amerikan.

Siguria ishte maksimale: shërbimet federale dhe lokale kishin marrë masa të rrepta, duke e klasifikuar eventin në nivelin më të lartë të sigurisë, krahasuar me Super Bowlin.

Ceremonia për Charlie Kirkun tregoi se për ndjekësit e tij, vdekja e tij nuk do të mbetet vetëm një tragjedi personale, por një thirrje për veprim politik e shoqëror në emër të trashëgimisë së tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco