Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë të ditur se të hënën, më 22 shtator, Franca do të shpallë zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez. Vendimi i shumëpritur vjen në një moment tensionesh të larta dhe debat global mbi të ardhmen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë për mediat, Macron sqaroi se njohja e Palestinës nuk do të thotë mbështetje për Hamasin, por një hap drejt një zgjidhjeje afatgjatë dhe të drejtë për popullin palestinez. Sipas tij, ky vendim synon të japë një perspektivë politike për miliona palestinezë që kërkojnë një shtet dhe të shmangë shtyrjen e tyre drejt ekstremizmit.
“Unë nuk i përmbush pritjet e Hamasit, i cili është i fiksuar pas shkatërrimit të Izraelit. Por unë e njoh legjitimitetin e kaq shumë palestinezëve që duan një shtet, që janë një popull. Ata duan një komb, ata duan një shtet dhe ne nuk duhet t’i shtyjmë ata drejt Hamasit,” deklaroi Macron.
Megjithatë, presidenti francez theksoi se lirimi i pengjeve të mbajtura nga Hamasi është një kusht i domosdoshëm përpara se Franca të hapë një ambasadë në territorin palestinez.
“Ky është grupi i parë i kushteve dhe kërkesave që do të vendosim në procesin e paqes,” shtoi ai, duke sinjalizuar se njohja formale është vetëm fillimi i një angazhimi më të gjerë diplomatik.
Macron gjithashtu kritikoi ashpër strategjinë e Izraelit për shkatërrimin total të Hamasit, duke vënë në dukje se lufta nuk e ka dobësuar grupin, por përkundrazi i ka sjellë rekrutë të rinj.
“Lufta nuk e mundi Hamasin. Ne kemi nevojë për diplomaci për të arritur sigurinë,” theksoi ai, duke apeluar për një rol më të fortë të bashkësisë ndërkombëtare në rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Presidenti francez theksoi se hapi tjetër pas njohjes do të jetë mbështetja për krijimin e një qeverie të besueshme në Gaza dhe rindërtimi i territorit të shkatërruar, me qëllimin përfundimtar të një zgjidhjeje me dy shtete.
Franca i bashkohet kështu një numri në rritje të vendeve evropiane që po shqyrtojnë ose kanë ndërmarrë hapa konkretë drejt njohjes së shtetit palestinez, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe palestinezëve mbeten të larta dhe rruga drejt paqes mbetet e pasigurt.
© SYRI.net