‘Aneksim të menjëhershëm të Bregut Perëndimor’/ Izrael, ministri i ekstremit të djathtë ‘hakmerret’ ndaj vendeve perëndimore që njohën Palestinën

‘Aneksim të menjëhershëm të Bregut Perëndimor’/ Izrael, ministri i ekstremit të djathtë ‘hakmerret’ ndaj vendeve perëndimore që njohën Palestinën

16:38, 21/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, njofton se do të ngrejë çështjen e aneksimit të Bregut Perëndimor në mbledhjen e ardhshme të kabinetit, në përgjigje të njohjes së shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia.

“Njohja nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia e një shteti ‘palestinez’, si çmim për terroristët vrasës Nukhba, kërkon kundërmasa të menjëhershme”, thotë Ben Gvir, duke bërë thirrje për “zbatimin e menjëhershëm të sovranitetit në Jude dhe Samari (emri biblik për rajonet e njohura kolektivisht si Bregu Perëndimor) dhe çmontimin e plotë të Autoritetit ‘Palestinez’”.

Forca Nukhba është njësia elitare e Hamasit, që udhëhoqi sulmin e 7 tetorit 2023 në Izraelin jugor.

«Kam ndërmend të paraqes një propozim për zbatimin e sovranitetit në mbledhjen e ardhshme të kabinetit», shton ai.

Ben Gvir mbështetet nga Yitzhak Wasserlauf i partisë së tij Otzma Yehudit, i cili kryeson Ministrinë e Negevit, Galilesë dhe të Rezistencës Kombëtare.

“Toka e Izraelit i përket ekskluzivisht popullit të Izraelit – nuk ka popull palestinez dhe shtet palestinez”, deklaron Ëasserlauf.

Anëtarët e linjës së ashpër të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu kanë bërë thirrje për aneksimin e territorit të kontestuar në përgjigje të njohjes së një shteti palestinez nga fuqitë perëndimore. Më herët këtë muaj, Ministri i Financave Bezalel Smotrich zbuloi një propozim që Izraeli të aneksojë 82 përqind të Bregut Perëndimor, në një përpjekje për të parandaluar një shtet palestinez.

Jo shumë kohë më pas, ndërsa nënshkruante një marrëveshje për të çuar përpara një plan të diskutueshëm zgjerimi të vendbanimeve, Netanyahu deklaroi se “nuk do të ketë shtet palestinez; ky vend na përket neve”./ Times of Israel.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco