Në Paris ka nisur të hënën gjyqi i tre grave të akuzuara për anëtarësim në të ashtuquajturin grup terrorist Shteti Islamik (ISIS). Gjyqi zhvillohet në një gjykatë speciale pa juri, një praktikë standarde në rastet e terrorizmit në Francë, dhe pritet të zgjasë deri më 26 shtator.
Të pandehurat bëjnë pjesë në atë që hetuesit e quajnë “klani Clain”, një familje me më shumë se 20 anëtarë që u larguan nga Franca për në Siri dhe Irak midis viteve 2014 dhe 2015. Sipas aktakuzës, tre gratë e gjykuara janë përfshirë në një trajektore ideologjike që zgjat më shumë se një dekadë, e përkushtuar ndaj xhihadizmit salafist.
Një nga të pandehurat është Jennyfer Clain, 34 vjeç, mbesa e Jean-Michel dhe Fabien Clain, përgjegjës për propagandën e ISIS-it dhe sulmet e 13 nëntorit 2015 në Paris, ku humbën jetën 130 persona. Christine Allain, 67 vjeç, ish-mësuese e arsimit special, u konvertua në Islam dhe iu bashkua ISIS-it, ndërsa Mayalen Duhart, kunata e Christine Allain, u largua nga Franca në vitin 2014 për në Siri.
Tre gratë u deportuan në Francë në vitin 2019 së bashku me nëntë fëmijët e tyre, të moshës 3–13 vjeç, pas arrestimit në Turqi afër kufirit me Sirinë. Ato akuzohen për përfshirje në aktivitetet e ISIS-it, rrezikimin e shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve të tyre, si dhe neglizhencë prindërore për çuarjen e fëmijëve në zona lufte.
Gjykata do të duhet të përcaktojë rolin e secilës të pandehur, nivelin e angazhimit dhe përgjegjësinë për sulmet terroriste. Një sfidë kryesore mbetet të vërtetohet nëse ato ishin viktima të indoktrinimit apo anëtare aktive të grupit terrorist. Fëmijët e tyre do të jenë palë civile në gjyq dhe përfaqësohen nga shoqata SOS Victimes 93, që mbështet të miturit e riatdhesuar nga Siria.
Jennyfer Clain dhe Mayalen Duhart po përballen gjithashtu me akuza për neglizhencë prindërore, të cilat ekzistojnë që nga viti 2017 dhe zbatohen për prindërit që çojnë fëmijët në zona konflikti.
Në fokus të gjyqit janë, përveç përgjegjësisë penale, edhe implikimet mbi fëmijët dhe dëshmia e asaj që Franca konsideron si rrezik serioz për shoqërinë nga rikthimi i anëtarëve të ISIS-it.
© SYRI.net