Verës së vitit 2025, e shënuar nga valë të të nxehtit, thatësira dhe përmbytje masive, i atribuohet një dëm ekonomik prej 43 miliardë eurosh për kontinentin, sipas një studimi të publikuar nga ekonomistë evropianë. Hulumtimi paralajmëron se këto janë vetëm kostot fillestare.
Studimi, i udhëhequr nga Sehrish Usman i Universitetit të Mannheimit dhe dy ekspertë të Bankës Qendrore Evropiane, u bazua si në të dhënat meteorologjike ashtu edhe në modelet ekonomike. Ai vlerësoi dëmet direkte, si shkatërrimi i rrugëve, ndërtesave dhe të korrave, por edhe pasojat indirekte, përfshirë humbjen e prodhimit industrial dhe kostot sociale.
“Kostot e vërteta të ngjarjeve ekstreme shtrihen përtej efekteve të tyre të menjëhershme,” theksoi Usman, duke përmendur ndikimet afatgjata në inflacion dhe mungesën e disa produkteve për shkak të thatësirave.
Sipas vlerësimeve, deri në vitin 2029 humbjet ekonomike nga fatkeqësitë klimatike të kësaj vere mund të arrijnë 126 miliardë euro.
Spanja, Franca dhe Italia janë vendet më të goditura, secila me dëme mbi 10 miliardë euro vetëm këtë vit. Humbjet e tyre në afat të mesëm mund të kalojnë 30 miliardë euro, për shkak të intensifikimit të valëve të nxehtësisë dhe thatësirave.
Ndërkohë, vendet e Evropës Qendrore dhe Veriore kanë pësuar dëme më të kufizuara, por janë përballur me përmbytje gjithnjë e më të shpeshta, që pritet të rrisin kostot e ndërprerjeve të motit në vitet e ardhshme.
© SYRI.net