Alarmi për shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë u anulua, pas një deklarate të kryeministrit polak Donald Tusk.
Në një postim në rrjetet sociale, Tusk shkruan: “Falënderojmë të gjithë ata që morën pjesë në operacionin ajror dhe tokësor. Qëndrojmë në gatishmëri.”
Sipas agjencisë Reuters, avionë luftarakë të Polonisë dhe të NATO-s u ngritën menjëherë për të qenë gati të mbrojnë hapësirën ajrore të vendit, në rast se situata do të përshkallëzohej.
Në të njëjtën kohë, për arsye sigurie, u urdhërua mbyllja e përkohshme e aeroportit të qytetit Lublin, në lindje të Polonisë.
Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Polonisë njoftoi se avionët luftarakë morën pjesë në një operacion pranë kufirit me Ukrainën “për të garantuar sigurinë e hapësirës sonë ajrore”, tre ditë pas rrëzimit të disa dronëve rusë në territorin polak, me mbështetjen e aleatëve të NATO-s.
“Këto veprime janë parandaluese dhe synojnë sigurinë e hapësirës ajrore dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht në zonat afër kufirit,” thuhet në deklaratë. Komanda nuk përmendi ndonjë shkelje konkrete të hapësirës ajrore polake gjatë këtij incidenti.
Ndërkohë, Autoriteti Polak i Aviacionit bëri të ditur se aeroporti i Lublinit dhe një zonë e kontrolluar përreth tij u mbyllën për fluturime gjatë ditës së shtunë.
Paralelisht me ngjarjet në Poloni, Forcat e Armatosura të Rumanisë njoftuan se një dron rus kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune.
Dy avionë luftarakë F-16 u ngritën nga baza ajrore në Fetesti për të vëzhguar situatën. Fillimisht u raportua se droni ishte rrëzuar nga avionët rumunë, por më vonë u konfirmua se ata vetëm e kishin ndjekur deri sa u zhduk nga radari.
Autoritetet rumune dërguan një njoftim urgjent për banorët, duke i kërkuar të qëndronin në vende të sigurta.
© SYRI.net