Autoritetet në Poloni kanë gjetur shtatë dronë dhe mbetjet e një objekti të paidentifikuar në vende të ndryshme të vendit pas shumë shkeljeve të hapësirës ajrore polake gjatë natës, 10 shtator, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme.
Karolina Galecka tha në një konferencë për medien se pesë nga dronët dhe mbetjet e objektit të paidentifikuar u gjetën në vende të ndryshme në provincën e Lublinit, në lindje të Polonisë, që kufizohet me Bjellorusinë dhe Ukrainën.
Ajo shtoi se dy dronët e mbetur u zbuluan në pjesën qendrore dhe veriore të Polonisë, shumë larg kufijve:
Njëri u gjet në një fushë në Mniszków, në provincën e Łódź-it në Poloni qendrore, rreth 250 km nga kufiri me Bjellorusinë.
Tjetri u gjet pranë qytetit të Elbląg në Poloni veriore. Ndërkohë një shtëpi është dëmtuar në komunën Wyryki të Polonisë.
Kryeministri polak, Donald Tusk deklaroi se Polonia është më afër një konflikti të hapur se në çdo kohë tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore.
Lexo dhe: NATO: Për herë të parë avionët përballen me kërcënime në hapësirën ajrore të një aleati
“Nuk kam arsye të them se jemi në prag të luftës, por një vijë është kaluar, dhe kjo është jashtëzakonisht më e rrezikshme se më parë,” tha kryeministri polak para parlamentit.
“Kjo situatë na afron më shumë se kurrë drejt një konflikti të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore.”
Polonia e ka cilësuar incidentin “akt agresioni që përbënte kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”. Kryeministri Tusk, ka thirrur një mbledhje urgjente, si dhe ka njoftuar NATO-n. Ndërsa Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi “përshkallëzim” si një “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për Evropën"

© SYRI.net