Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka reaguar ashpër pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë, duke e cilësuar incidentin si një veprim “të pamatur dhe thellësisht shqetësues”.
Në një deklaratë për mediat, Starmer tha se ndërhyrja ruse tregon qartë shpërfilljen e Presidentit Putin për paqen dhe për vuajtjet e popullit ukrainas, që, sipas tij, “përballen çdo ditë me bombardime të pamëshirshme”.
“Ky ishte një veprim jashtëzakonisht i pamatur nga Rusia dhe shërben vetëm për të na kujtuar shpërfilljen e hapur të Presidentit Putin për paqen,” – u shpreh kreu i qeverisë britanike.
Starmer konfirmoi gjithashtu se ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Kryeministrin polak Donald Tusk, duke i përcjellë mbështetjen e plotë të Britanisë ndaj një vendi aleat të NATO-s.
“Kam biseduar me Kryeministrin Tusk për t’i bërë të qartë mbështetjen tonë të palëkundur për Poloninë,” – tha ai.
Kryeministri britanik falënderoi forcat e NATO-s dhe ato polake për reagimin e menjëhershëm pas incidentit, duke nënvizuar se veprimet e tyre ndihmuan në mbrojtjen e gjithë Aleancës.
“Falënderimet e mia të sinqerta shkojnë për forcat e NATO-s dhe ato polake që reaguan me shpejtësi për të mbrojtur Aleancën.”
Në fund të deklaratës së tij, Starmer tha se Britania do të vazhdojë të rrisë presionin mbi Moskën, në bashkëpunim me aleatët e saj.
“Me partnerët tanë – dhe përmes udhëheqjes sonë të koalicionit të të vullnetshmëve – do të vazhdojmë të rrisim presionin mbi Putinin derisa të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
© SYRI.net