Sulmi izraelit në Doha trondit Lindjen e Mesme, Katari kërcënon me hakmarrje: Shkelje flagrante e sovranitetit

Sulmi izraelit në Doha trondit Lindjen e Mesme, Katari kërcënon me hakmarrje: Shkelje flagrante e sovranitetit

09:01, 10/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sulmi i paprecedentë izraelit në kryeqytetin e Katarit, Doha, ka shkaktuar reagime të forta diplomatike në mbarë Lindjen e Mesme dhe përtej.

Goditja, që synonte zyrtarë të Hamasit, ndodhi pasditen e së martës (09/09), duke tronditur balancën e brishtë rajonale.

Katari, i cili strehon bazën më të madhe ushtarake amerikane në rajon dhe konsiderohet aleat strategjik i SHBA-së, reagoi ashpër, duke paralajmëruar se do të marrë masa kundër sulmit, të cilin e cilësoi si “dinak” dhe “shkelje të sovranitetit”.

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë dhe qëndrimi i Netanyahut

Pas incidentit, Shtëpia e Bardhë dha një reagim të rrallë dhe të formuluar me kujdes, duke shmangur një dënim të drejtpërdrejtë të veprimit izraelit. Analistët theksojnë se pavarësisht statusit të Katarit si partner kyç i SHBA-së, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vazhdon të mbështetet te një figurë e vetme ndërkombëtare – Donald Trump.
Sipas BBC, Netanyahu beson se përtej një “shuplake diplomatike”, Uashingtoni nuk do të ndërmarrë masa të forta ndaj Izraelit.

OKB reagon – thirrje për takim urgjent

Pas sulmit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente sot në orën 21:00 pas kërkesave të Algjerisë dhe Pakistanit. Takimi synon të adresojë përshkallëzimin e tensioneve dhe shkeljet e mundshme të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Izraelit.

Operacioni në Doha shihet nga analistët si një sinjal i qartë se, për Izraelin, asnjë hapësirë nuk është më neutrale dhe asnjë tryezë negociatash nuk është më e sigurt. Kjo përfaqëson një fazë të re dhe më të rrezikshme të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gaza, në prag të një katastrofe humanitare

Ndërkohë, në Rripin e Gazës, situata humanitare është drejt kolapsit. Ushtria izraelite ka urdhëruar mbi një milion banorë të qytetit të Gazës të zhvendosen drejt jugut, teksa infrastruktura jetike është tashmë e rrënuar – spitalet, shkollat dhe shtëpitë janë shkatërruar, ndërsa uria po shndërrohet në kërcënim real për jetën.

Deri më tani, sipas burimeve ndërkombëtare, mbi 60,000 palestinezë janë vrarë – shumica civilë. Netanyahu përballet me një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte, ndërsa Izraeli është nën hetim për gjenocid nga Gjykata në Hagë.

Perëndimi i ndarë – lufta rrezikon të përhapet

Në sfondin e këtyre zhvillimeve, disa vende perëndimore si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kanadaja dhe Australia po shqyrtojnë njohjen zyrtare të shtetit palestinez. Ndërkohë, qeveria izraelite po sinjalizon për një aneksim të plotë të Bregut Perëndimor si kundërpërgjigje.

Duke iu drejtuar palestinezëve në Gaza, Netanyahu deklaroi në një intervistë televizive:
“Mos u mashtroni nga këta vrasës. Kërkoni të drejtat dhe të ardhmen tuaj. Bëni paqe me ne. Pranoni ofertën e Presidentit Trump. Nëse e bëni këtë, nuk ka kufizime për të ardhmen tonë të përbashkët.”

Megjithatë, fjalët e tij pak prekin realitetin e një popullsie që çdo ditë përballet me humbjen e familjeve dhe rrënimin e jetës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco