Presidenti Donald Trump lavdëroi të hënën shoqatën e ish-nxënësve të Akademisë Ushtarake të SHBA-së në West Point që "me zgjuarsi" anuloi një ceremoni çmimesh për aktorin dhe aktivistin për veteranët, Tom Hanks.
"Lëvizje e rëndësishme!" shkroi Trump në rrjetet sociale. "Nuk na duhen fitues destruktivë, "WOKE", që marrin Çmimet tona të çmuara Amerikane!!!"
Postimi i Trump-it erdhi dy ditë pasi The Washington Post raportoi se ceremonia ishte anuluar. Shoqata e ish-nxënësve të West Point kishte planifikuar të nderonte Hanks-in me 25 shtator me Çmimin prestigjioz Sylvanus Thayer, që i jepet një "qytetari të shquar" që nuk ka ndjekur West Point, por mishëron idealet e akademisë: "detyrë, nder, atdhe."
Në një email drejtuar fakultetit të premten, koloneli në pension Mark Bieger, president dhe drejtues ekzekutiv i grupit të ish nxënësve, njoftoi anulimin e ceremonisë dhe tha se kjo "i lejon Akademisë të vazhdojë të fokusohet tek misioni i saj thelbësor: përgatitja e kadetëve për të udhëhequr, luftuar dhe fituar."
Trump duket se e ngatërroi akademinë me shoqatën e ish nxënësve në rrjetet sociale, duke ia atribuuar vendimin për anulimin "West Point-it tonë të madh (që po bëhet gjithnjë e më i madh!)."
Hanks ka qenë prej kohësh një mbështetës i shërbimeve ushtarake dhe veteranëve amerikanë, duke i portretizuar ata në filma të njohur si "Saving Private Ryan" dhe "Forrest Gump", si dhe duke mbështetur krijimin e memorialeve dhe muzeve në mbarë vendin. Ai gjithashtu ka qenë një përkrahës i hershëm i demokratëve, përfshirë presidentin Joe Biden, i cili e mundi Trump-in në zgjedhjet e vitit 2020.
Që kur u rikthye në detyrë, Trump dhe sekretari i tij i mbrojtjes, Pete Hegseth, janë përpjekur të eliminojnë atë që e kanë quajtur politikë dhe "wokeness" në forcat e armatosura. Në janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të hequr gradualisht programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes brenda ushtrisë.
Trump iu referua dukshëm vendimit të grupit të ish nxënësve gjatë një fjalimi të hënën në Uashington, duke e quajtur anulimin e ceremonisë "gjëja e duhur." Ai sugjeroi se ishte pjesë e përpjekjeve të administratës së tij për të çrrënjosur "agjendën woke", duke e krahasuar me një "barishte të keqe" që rishfaqet vazhdimisht.
Ai madje sugjeroi se edhe shfaqje të tjera çmimesh, përtej atyre ushtarake, duhet të marrin shembull nga vendimi i ish nxënësve të West Point-it.
"Shpresoj që Academy Awards dhe shfaqje të tjera Çmimesh të Rreme të rishikojnë Standardet dhe Praktikat e tyre në emër të Drejtësisë dhe Barazisë," tha Trump. "Shikoni si do të RIKTHEHEN SHIFRAT E VDEKURA TË SHIKUESHMËRISË!" / Washington Post - Syri.net
© SYRI.net