Shumica e qytetarëve në pesë shtetet më të mëdha të Bashkimit Europian besojnë se Komisioni Europian ka mashtruar qytetarët, duke arritur një marrëveshje “poshtëruese” tregtare me presidentin amerikan Donald Trump, e cila, sipas tyre, favorizon ndjeshëm Shtetet e Bashkuara në dëm të Europës.
Këto të dhëna dalin nga një sondazh i zhvilluar nga “Cluster17” për platformën “Le Grand Continent”, i cili zbulon se 77% e të anketuarve, nga 89% në Francë deri në 50% në Poloni, besojnë se marrëveshja do të përfitojë kryesisht ekonominë amerikane. Vetëm 2% e qytetarëve të anketuar mendojnë se marrëveshja është në të mirë të ekonomisë europiane.
Marrëveshja, e arritur në korrik mes Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, parashikon heqjen e tarifave doganore nga ana e BE-së për të gjitha produktet industriale amerikane, si dhe akses të preferuar për shumë produkte detare dhe bujqësore të SHBA-së në tregun europian. Ndërkohë, mallrat europiane që eksportohen në SHBA do të vazhdojnë të përballen me një tarifë doganore bazë prej 15%.
Sipas kushteve të marrëveshjes, kompanitë europiane duhet të investojnë edhe 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa BE-ja është zotuar të blejë energji amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë, si dhe të rrisë ndjeshëm shpenzimet për importet amerikane të mbrojtjes. Mbi dy të tretat e qytetarëve të anketuar janë shprehur kundër këtyre kushteve.
Pavarësisht kritikave, Ursula von der Leyen e ka përshkruar marrëveshjen si “të madhe”, duke thënë se ajo sjell “qëndrueshmëri” dhe “parashikueshmëri”, ndërkohë që i ka shmangur Europës një tarifë ndëshkuese prej 30% që Trump kishte kërcënuar të vendoste.
Megjithatë, kritikët thonë se BE-ja ka bërë shumë lëshime dhe ka dorëzuar interesat e saj përballë presionit të SHBA-së, një mendim që ndahet edhe nga shumica e qytetarëve europianë. Sipas sondazhit, mesatarisht 75% e të anketuarve thanë se von der Leyen ka mbrojtur “shumë keq” ose “mjaftueshëm keq” interesat e Europës në këtë proces.
Gjithashtu, 70% e qytetarëve shprehën gatishmëri për të bojkotuar produktet amerikane për shkak të kushteve të kësaj marrëveshjeje.
Ndër të tjera:
44% e cilësojnë Trump si “armik të Europës”
47% besojnë se ka “tendenca autoritare”
36% mendojnë se “sillej si diktator”
Më shumë se tre të katërtat e të anketuarve janë të pakënaqur me mënyrën si BE ka menaxhuar marrëdhëniet me administratën Trump, ndërsa gati 40% mendojnë se BE-ja duhet të kishte reaguar më ashpër ndaj veprimeve të SHBA-së.
Vetëm pak ditë para fjalimit të von der Leyen mbi “Gjendjen e Bashkimit” për vitin 2025, një shumicë e qartë prej 60% të qytetarëve në këto pesë vende thonë se do ta shihnin dorëheqjen e saj si diçka “shumë” ose “mjaft” pozitive.
Në fund, ndërsa shumica dërrmuese, nga 85% në Spanjë deri në 61% në Francë, mbështesin qëndrimin e vendit të tyre në BE, 37% thonë se nëse Unioni dështon të mbrojë qytetarët nga rreziqet gjeopolitike, “duhet të shqyrtohet seriozisht mundësia e largimit nga blloku.”
© SYRI.net