Katër vjet në arrati, fundi tragjik i babait që fshehu fëmijët

Katër vjet në arrati, fundi tragjik i babait që fshehu fëmijët

09:36, 09/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia ka publikuar imazhet e para të asaj që beson të jetë një nga disa kampet ku një baba nga Zelanda e Re, në arrati, ishte fshehur për vite me radhë me tre fëmijët e tij.

Dy nga fëmijët e Tom Phillips u gjetën në vendngjarje, në rajonin Waikato, të hënën, disa orë pasi ai u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.

Policia tha se i gjeti ata me ndihmën e fëmijës së tretë, i cili ndodhej me Phillips në momentin kur ai humbi jetën.

Sipas autoriteteve, fëmijët janë “mirë”, por do t’u duhet kohë për t’u rikuperuar nga kjo përvojë e rëndë.

Phillips ishte zhdukur me fëmijët – Jayda, Maverick dhe Ember – pak para Krishtlindjeve në vitin 2021, atëherë tetë, shtatë dhe pesë vjeç. Policia beson se ai veproi pasi humbi kujdestarinë ligjore mbi ta.

Sipas Komisionerit të Policisë Richard Chambers, Phillips nuk tregoi “asnjë konsideratë” për sigurinë e fëmijëve dhe “i vuri ata në rrezik”. Tashmë, fëmijët ndodhen nën kujdesin e autoriteteve.

Në kamp u gjetën gjithashtu armë zjarri dhe municione. Zona është e rrethuar nga bimësi e dendur, dhe në pamjet e publikuara shfaqen edhe dy motorë kuadratorë të parkuar mes pemëve.

Kur autoritetet mbërritën, kërkimi për fëmijët kishte nisur prej afro 12 orësh.

Në orët e para të së hënës, policia iu përgjigj një raporti për një tentativë vjedhjeje në një dyqan furnizimesh bujqësore në qytetin e vogël Piopio.

Aty ndodhi përplasja me armë, ku Phillips qëlloi me një pushkë të fuqishme, duke plagosur rëndë një oficer.

Chambers tha se nuk kanë “asnjë dyshim” se qëllimi ishte vrasja e tij. Oficeri i plagosur ka kaluar disa operacione, por përpara ka ende një rrugë të gjatë drejt rikuperimit.

Rasti i Phillips ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Zelandën e Re që nga zhdukja e tij afro katër vjet më parë.

Edhe pse zhvillimet e fundit sugjerojnë se historia mund të ketë përfunduar, policia vijon hetimet për të zbuluar si arriti t’i shpëtonte kapjes dhe si siguroi armët.

Autoritetet nuk u përgjigjën pyetjeve nëse nëna e fëmijëve, e njohur si Cat, apo familjarë të tjerë janë aktualisht në kontakt me ta.

“Prioriteti ynë është të sigurojmë që fëmijët të jenë në kujdes dhe të ekzistojë një plan i qartë për ta, ku të përfshihen të gjithë në kohën e duhur,” tha Ministri i Policisë Mark Mitchell.

“Ata kanë parë dhe përjetuar gjëra që fëmijët në vendin tonë nuk duhet t’i përjetojnë.”

Warwick Morehu nga Ministria për Fëmijë tha se fëmijëve do t’u ofrohet çdo ndihmë apo mbështetje që mund t’u nevojitet, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Të hënën, nëna e fëmijëve tha për median lokale RNZ se ishte “thellësisht e lehtësuar” që “kjo përvojë e vështirë ka marrë fund”, duke shtuar se i kishte munguar fëmijët “çdo ditë për gati katër vjet”.

Por ajo shtoi: “Jemi të trishtuar për mënyrën si u zhvilluan ngjarjet sot.”

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco