Nga Daisy Dunn - The Telegraph
Nëse presidenti Trump do të ishte një perandor romak, cili do të ishte? Profesoreshë Mary Beard mendon se Elagabali, sundimtari i shekullit të tretë i cili, sipas tregimeve, mbyste mysafirët e tij nën petale trëndafili që binin nga një tavan i rremë.
Duke folur në podcast-in e saj të ri, Beard shpjegoi se i pëlqen t’u japë njerëzve një emër të papritur në këtë lojë moderne të njohur, me shpresën që ata të shkojnë ta kërkojnë më pas. “Elagabali” është sigurisht një zgjedhje e papritur. I lindur në një familje me origjinë siriane, ai u bë perandor i Romës në moshën 14 vjeçare dhe, sipas rrëfimeve të pabesueshme, “u martua” me një karrocier mashkull, kërkoi të bënte ndryshim gjinie dhe ndoqi burrin me penisin më të madh të regjistruar ndonjëherë. Nuk janë thashethemet që do të prisnim për Donald Trump-in.
Megjithatë, krahasimi i Beard është i zgjuar. Duke hedhur poshtë legjendën e petaleve si më shumë metaforike sesa reale, ajo e përshkroi Elagabalin si “trumpian” për aq sa ai vriste me mirësi; si dëshmi se perandorëve nuk mund t’u besohet edhe kur duken bujarë.
Krahasime të tjera të mundshme
Pjesë e argëtimit të kësaj loje është fakti se ka dhjetëra kandidatë. Me kë tjetër mund ta krahasojmë Trump-in? Kur u zgjodh për herë të parë në vitin 2016, unë thashë me Kaligulën, perandorin despot i cili kujtohet gabimisht se bëri kalin e tij konsull (në fakt, duket se vetëm kërcënoi me këtë gjë). Ndërsa mandati i Trump-it vazhdonte, më kujtoi më shumë Neronin, i cili thuhet se luante në violinë ndërsa Roma digjej (nuk e bëri), por që e shihte veten si aktor dhe këngëtar (dhe këtë e bëri). Nëse keni parë fotografitë e dekorimeve të reja të Zyrës Ovale nga Trump, do të bini dakord se shijet e tij janë qartësisht neroniane.
Asnjë nga këto paralele nuk do t’i pëlqente Trump-it, i cili, po të njihte historinë, padyshim do ta shihte veten si një August të ri. Perandori i parë i Romës pastroi rrëmujën e luftërave civile dhe shpiku narrativën e një epoke të re të artë. Ai ishte arkitekti i pax Romana, dhe, përveç përpjekjes për një Çmim Nobel për Paqe, mburrej se kishte mbyllur dyert e Tempullit të Janusit (që mbylleshin vetëm në kohë paqeje) plot tri herë, gjë e paprecedentë.
Trump 2.0: mes Domicianit dhe Karakalës
Por unë do ta përshkruaja më shumë Trump 2.0 si një përzierje mes Domicianit dhe Karakalës. Ky i fundit u bë perandor në vitin 198 pas Krishtit dhe kreu spastrimet e pamëshirshme ndërsa përpiqej të kontrollonte një popullsi të përçarë. Ndryshe nga Trump, ai ishte ushtarak, por përpjekjet e tij për të blerë mbështetje duke rritur pagat e ushtarëve dhe duke u dhënë qytetarinë romake të gjithë burrave të lirë të perandorisë i ngjajnë përpjekjeve të Trump-it për të “amerikanizuar” jashtë vendit. Ai ishte gjithashtu një ndërtues i pasionuar, kompleksi i tij i banjave ishte i jashtëzakonshëm, dhe i pëlqente një mur, duke rivendosur Murin e Hadrianit si kufi. Për më tepër, kaloi shumë kohë në Skoci.
Domiciani, i cili sundoi në fund të shekullit të parë, e kalonte kohën e lirë duke shpuar mizat me stilografin e tij (penën). I përshkruar si pervers, e quante seksin “mundje në shtrat”, ai dëboi nga Italia shumicën e atyre me të cilët nuk pajtohej, sidomos filozofët stoikë. (Elon Musk, për shembull, ka shprehur admirim për Mark Aurelin, autorin e Meditimeve stoike). Ndërkohë që Domiciani riktheu traditën e kahershme të varrosjes për së gjalli të Virgjëreshave Vestale që shkelën betimin, të paktën u vlerësua për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në disa gjykata.
Një republikë në rënie?
Ne mund të vazhdojmë të nxjerrim paralele për sa kohë që Trump ngjan me një autokrat të paparashikueshëm. Ndërkohë, diskutimi mbi rënien e republikës amerikane nën drejtimin e tij sjell një paralel tjetër. Në shumë aspekte, Amerika e Trump-it duket më shumë si Republika Romake në buzë të kolapsit sesa si periudha e perandorëve. Kulti i personalitetit është në rënie.
Nëse krahasimi i Trump me perandorët ka një qëllim, është të nxjerrë në pah rreziqet e izolimit; Kaligula, Domiciani, Karakala dhe Elagabali u vranë të gjithë. Nëse Trump mund të mësojë një mësim nga Roma, është se ia vlen të jesh i nderuar si primus inter pares, i pari mes të barabartëve.
© SYRI.net