Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka bërë një paralajmërim të fortë duke deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të hyjë në një “fazë lufte të armatosur” nëse përballet me një agresion ushtarak nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë aktivitetit “Aktivizimi i Njësisë Komunale të Milicisë, në luftë”, të transmetuar nga televizioni shtetëror VTV, Maduro theksoi se çdo përballje do të ketë një “përgjigje të planifikuar dhe të organizuar nga i gjithë populli”, me synimin për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Venezuelës.
Ai i bëri thirrje Uashingtonit dhe presidentit amerikan që të heqin dorë nga politikat e “ndryshimit të dhunshëm të regjimeve” në Amerikën Latine dhe Karaibe, duke theksuar se SHBA duhet të respektojë pavarësinë e Venezuelës.
Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit hodhi poshtë akuzat për përfshirje në trafikun e drogës, duke theksuar se “Venezuela nuk prodhon as coca dhe as kokainë”, ndërsa përmendi sukseset e njohura ndërkombëtarisht në luftën kundër narkotikëve.
Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm pas vendosjes së një flote detare amerikane në Detin e Karaibeve për të luftuar trafikun e drogës — një lëvizje që qeveria venezuelane e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë. Situata u përshkallëzua edhe më tej pas deklaratave të presidentit Donald Trump, i cili paralajmëroi se avionët venezuelanë do të rrëzohen nëse paraqesin rrezik për forcat amerikane.
© SYRI.net