Vendet evropiane paralajmërohen se po rrezikojnë jetën e azilkërkuesve

Vendet evropiane paralajmërohen se po rrezikojnë jetën e azilkërkuesve

12:14, 05/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Këshilli i Evropës u bëri thirrje të enjten 46 shteteve anëtare që të mos ia delegojnë vendeve të treta përpunimin e kërkesave për azil, duke paralajmëruar se kjo praktikë mund të vendosë në rrezik jetën e mijëra njerëzve.

“Politikat e eksternalizimit mund të rezultojnë në nënshtrimin e njerëzve ndaj torturës ose keqtrajtimeve të tjera, dëbimeve kolektive dhe ndalimit arbitrar, ose mund të vënë jetën e tyre në rrezik,” tha Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty. Ai shtoi se këto politika gjithashtu mund të pengojnë aksesin efektiv në azil dhe t’u mohojnë individëve mjetet juridike.

Raporti i ri i Këshillit, organi mbikëqyrës i të drejtave të njeriut në Evropë, thekson tre fusha ku rreziqet janë veçanërisht të mëdha: përpunimi i jashtëm i kërkesave për azil, procedurat e kthimit të jashtëm dhe delegimi i kontrollit kufitar vendeve me histori të shkeljeve të rënda të të drejtave të migrantëve.

Disa shtete, si Italia, tashmë kanë nisur t’ia kalojnë trajtimin e emigrantëve vendeve jashtë BE-së. Qeveria e Giorgia Melonit hapi qendra pritjeje në Shqipëri, të cilat më vonë u shndërruan në struktura riatdhesimi. Por muajin e kaluar, Gjykata e Drejtësisë së BE-së urdhëroi kthimin e azilkërkuesve të dëbuar nga Italia drejt Shqipërisë, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e kësaj praktike.

Edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në vitin 2022, kishte bllokuar transferimin e azilkërkuesve nga Mbretëria e Bashkuar në Ruandë. Megjithatë, Londra ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Francën për riatdhesimin e azilkërkuesve.

Në arenën ndërkombëtare, katër shtete afrikane, Eswatini, Ruanda, Sudani i Jugut dhe Uganda, kanë rënë dakord të pranojnë migrantë të dëbuar masivisht nga SHBA gjatë administratës së Donald Trump, ndërsa El Salvadori u bë vendi i parë i Amerikës Latine që pranoi emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara./ The local - Syri.Net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco