Shtatori konfirmon edhe një herë reputacionin e tij si muaj i dobët për tregjet globale të aksioneve, duke prekur ndjeshëm edhe bursat evropiane.
Të dhënat historike tregojnë se gjatë 30 viteve të fundit, indeksi Euro Stoxx 50 ka humbur mesatarisht 1.56% në këtë muaj, duke qenë shumë pranë rënies së gushtit (-1.59%), që konsiderohet muaji më i keq i vitit. Në gjysmën e këtyre viteve, ky indeks e ka mbyllur shtatorin në rënie, duke e bërë të paparashikueshme çdo kthesë të tij.
Tendenca negative shihet edhe në dekadën e fundit: që nga 2014, Euro Stoxx 50 ka shënuar një rënie mesatare prej 1% në shtator, me gjashtë nga dhjetë vitet që përfunduan me humbje. E njëjta dobësi vërehet edhe tek Euro Stoxx 600, që nga viti 2002 ka pësuar rënie mesatare prej 0.96%.
Indekset kombëtare nuk kanë shpëtuar nga efekti i shtatorit. DAX i Gjermanisë shënon një rënie mesatare prej -1.62%, ndërsa CAC 40 i Francës humb mesatarisht 1.49% në këtë muaj. Italia me FTSE MIB ka shënuar katër shtatorë negativë radhazi, pavarësisht një performance afatgjatë më të sheshtë.
Ndër kompanitë kryesore evropiane, disa prej tyre e kanë përjetuar më rëndë efektin sezonal. Infineon regjistron një humbje mesatare prej 6.13%, duke e bërë shtatorin muajin më të dobët të saj historik.
Airbus ka rënë për gjashtë shtatorë radhazi (-4.01% mesatarisht), ndërsa gjigandët e luksit si LVMH dhe Kering shënojnë gjithashtu humbje të theksuara. Banka Société Générale, gjigandi i energjisë E.ON dhe kompania e logjistikës Deutsche Post AG pasqyrojnë të njëjtin trend negativ.
Analistët thonë se ky fenomen lidhet me faktorë si ribalancimi i portofolave pas verës, pasiguritë ekonomike në prag të fundit të vitit dhe volumi më i ulët i tregtimit pas pushimeve, duke e kthyer shtatorin në një “kurth sezonal” për investitorët.
© SYRI.net