Pesëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur pas një aksidenti të rëndë me autobus në një zonë malore të Sri Lankës. Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje pranë qytetit Wellawaya, rreth 280 kilometra në lindje të kryeqytetit Colombo, njoftoi zëdhënësi i policisë, Fredrik Wutler, sipas Associated Press.
Autobusi pasagjerësh, ku udhëtonin rreth 30 persona, doli nga rruga dhe ra në një përrua rreth 300 metra të thellë. Pesë fëmijë ndodhen mes të plagosurve. Hetimet e para tregojnë se shoferi po lëvizte me shpejtësi të lartë, humbi kontrollin e mjetit, u përplas fillimisht me një automjet tjetër dhe një parmak mbrojtës, përpara se të rrëzohej nga shkëmbi.
Pamje të transmetuara nga mediat lokale treguan autobusin e shkatërruar në fund të përroit, ndërsa ushtarët dhe ekipet e shpëtimit punonin për të nxjerrë viktimat dhe të mbijetuarit nga rrënojat.
Aksidentet fatale me autobusë janë një fenomen i shpeshtë në Sri Lanka, veçanërisht në zonat malore, për shkak të drejtimit të pakujdesshëm, shpejtësisë së lartë dhe gjendjes së dobët të rrugëve.
© SYRI.net