DASh shpall dy banda ekuadoriane si organizata terroriste! Rubio: Janë kafshë të egra

DASh shpall dy banda ekuadoriane si organizata terroriste! Rubio: Janë kafshë të egra

21:09, 04/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli sot dy grupe kriminale nga Ekuadori, si organizata terroriste të huaja.

Bëhet fjalë për Los Choneros dhe Los Lobos.

Njoftimi erdhi ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Rubio po viziton Ekuadorin për t’u takuar me liderët e vendit, gjatë një udhëtimi në Amerikën Latine këtë javë, kur ndodhi dhe një sulm ushtarak amerikan kundër një bande tjetër që ishte caktuar më parë si organizatë terroriste, Tren de Aragua.

Dy bandat Los Lobos dhe Los Choneros, janë grupime ekuadoriane të cilat fajësohen për shumicën e dhunës që ka nisur pas pandemisë COVID-19. Sipas Rubio, kjo i jep qeverisë amerikane "çdo opsion" për të bashkëpunuar me qeverinë e Ekuadorit për të goditur këto grupe.

Kjo përfshin mundësinë për t’i asgjësuar ata fizikisht, si dhe të ndërmerren masa ndaj pronave dhe llogarive bankare në SHBA për anëtarët e grupit dhe personat me lidhje me organizatat kriminale.

Rubio i quajti ata "kafshë të egra, terroristë".

Dhuna e bandave kriminale vazhdon pa ndalim edhe pas rikthimit në qeli, në qershor, të kryetarit më të madh të drogës në vend, Adolfo Macías, që udhëheq Los Choneros, pas arratisjes së tij nga një burg me siguri maksimale në 2024. Në korrik, qeveria ekuadoriane ekstradoi Macías në Shtetet e Bashkuara, ku ai përballet me disa akuza për trafik droge dhe armësh. Ai aktualisht ndodhet në paraburgim dhe ka deklaruar pafajësi.

Vit e kaluar, SHBA e klasifikoi Los Choneros si një nga bandat më të dhunshme dhe konfirmoi lidhjen e tyre me kartelët e fuqishëm meksikanë, që paraqesin kërcënim për Ekuadorin dhe rajonin përreth.

SHBA vitin e kaluar shpalli Los Lobos si organizatën më të madhe të trafikimit të drogës në Ekuador.

Takimet e Rubio-s në Quito të enjten 4 shtator, pasuan bisedimet një ditë më parë me liderët meksikanë pas sulmit ushtarak ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës Tren de Aragua në Karaibet jugore.

Administrata Trump pohon se objektivi ishte një anije venezueliane për trafik droge, e grupit Tren de Aragua. Zyrtarët amerikanë thonë se ngarkesa e drogës ishte e destinuar për Shtetet e Bashkuara dhe se sulmi vrau 11 personat që ishin në anije.

Rubio mbrojti veprimin dhe nuk ofroi ndonjë justifikim tjetër përveç se të thoshte se anija paraqiste një “kërcënim të menjëhershëm” për SHBA dhe se Trump zgjodhi ta “sulmonte” në vend që të ndiqte procedurën standarde për ndalimin, arrestimin e ekuipazhit dhe sekuestrimin e kontrabandës në bord.

“Ndërhyrja nuk funksionon,” tha Rubio të mërkurën. “Sipas urdhrit të presidentit, e sulmuam. Dhe do të ndodhë përsëri. Ndoshta po ndodh tani, nuk e di, por thelbi është se presidenti i Shteteve të Bashkuara do të bëjë luftë kundër organizatave narco-terroriste.”

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të mërkurën se asetet ushtarake amerikane do të mbeten në rajon dhe se mund të ketë sulme të tjera.

Sulmi shkaktoi reagime të ndryshme nga liderët në Amerikën Latine. Zyrtarët në Meksikë, ishin të kujdesshëm për të mos dënuar hapur sulmin, por theksuan rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit kombëtar dhe paralajmërimin se përfshirja e zgjeruar ushtarake amerikane mund të rezultojë kundërproduktive.

Sekretari i Jashtëm i Meksikës, Ramón de la Fuente, duke folur për gazetarët pranë Rubio-s, nënvizoi preferencën e vendit të tij për “mosndërhyrje dhe zgjidhje paqësore të konflikteve.”

Ekuadori ka gjithashtu çështjet e veta me trafikimin e drogës dhe është parë nga administrata Trump si një destinacion i mundshëm për deportimin e emigrantëve jo-ekuadorianë nga Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se dëshirojnë të sigurojnë një marrëveshje me Ekuadorin që ta pranojë këtë kategori të deportuarish, por statusi i negociatave nuk ishte i qartë.

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, të enjten falënderoi Rubio-n për përpjekjet e SHBA-së për “të eliminuar në fakt çdo kërcënim terrorist.”

Para takimit të tyre, Rubio kishte shkruar në rrjetet sociale se SHBA dhe Ekuadori janë “të përbashkët si partnerë kyç në ndalimin e emigracionit të paligjshëm dhe luftën kundër krimit transnacional dhe terrorizmit.”

Raporti më i fundit i OKB-së për drogat thotë se disa vende të Amerikës së Jugut, përfshirë Kolumbinë, Ekuadorin dhe Perun, raportuan sekuestrime më të mëdha kokaine në 2022 sesa në 2021, por nuk i jep Venezuelës rolin e madh që Shtëpia e Bardhë i ka përmendur muajt e fundit.

“Ndikimi i rritjes së trafikut të kokainës është ndjerë veçanërisht në Ekuador, i cili ka parë një valë dhune vdekjeprurëse në vitet e fundit, e lidhur si me grupet kriminale lokale, ashtu edhe me ato transnacionale, më së shumti nga Meksika dhe vendet e Ballkanit,” thuhet në raport.

Dhuna ka shpërthyer në Ekuador që pas pandemisë COVID-19, ndërsa trafikantët e drogës zgjeruan operacionet në vend dhe shfrytëzuan industrinë e bananeve.

Ky vend i Amerikës së Jugut është eksportuesi më i madh i bananeve në botë, duke dërguar rreth 7.2 milion tonë në vit përmes detit. Trafikantët e shohin kontejnerët e mbushur me banane si mjet ideal për të kontrabanduar produktet e tyre.

Për më tepër, kartelet nga Meksika, Kolumbia dhe Ballkani janë vendosur në Ekuador për shkak se përdor dollarin amerikan, ka ligje dhe institucione të dobëta, si dhe një rrjet bandash të egra e të vendosura prej kohësh, të cilat janë të gatshme për punë. Kujtojmë se edhe shqiptarët kanë një rol të rëndësishëm në trafikun e kokainës në Ekuador.

Ekuadori gjithashtu fitoi rëndësi në tregtinë globale të kokainës pas ndryshimeve politike në Kolumbi gjatë dekadës së fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco