SHBA do të shkurtojë fondet ushtarake për vendet europiane në kufi me Rusinë, shkruan sot Financial Times. Bëhet fjalë për një buxhet prej 1 miliardë dollarësh. Sipas gazetës prestigjioze SHBA do të heqë gradualisht programet e asistencës së sigurisë për ushtritë evropiane të vendosura përgjatë kufirit me Rusinë, duke e shtyrë kontinentin të financojë më shumë mbrojtjen e vet.
Javën e kaluar, zyrtarë të Pentagonit i kanë informuar diplomatët evropianë se Shtetet e Bashkuara nuk do të financojnë më programet e trajnimit dhe pajisjes për forcat e armatosura në vendet e Evropës Lindore, të cilat do të gjendeshin në vijën e parë të një konflikti të mundshëm me Rusinë, .shkruan FT.
Ndërkohë rreth 30 udhëheqës të aleatëve perëndimorë të Ukrainës u takuan sot në Paris me presidentin Volodymyr Zelensky për të biseduar për garancitë e sigurisë për vendin e shkatërruar nga lufta, të cilat do ta pasonin çdo marrëveshje për paqe të arritur me Rusinë për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Bisedimet u pasuan nga një videokonferencë me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me të cilin 'u fol për mënyrat si ta çojmë situatën drejt një paqeje të vërtetë' tha Zelensky.
Me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, 'diskutuam disa opsione, dhe më e rëndësishmja është presioni, përmes masave të forta, veçanërisht atyre ekonomike, për t’i dhënë fund luftës' shkroi në X presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke treguar për bisedën telefonike me ish-presidentin amerikan, në prani edhe të liderëve evropianë.
Me Trump, ai diskutoi gjithashtu 'për mbrojtjen maksimale të hapësirës ajrore të Ukrainës' nga sulmet ruse: 'Ukraina ka propozuar një format për mbrojtjen e qiellit tonë që Shtetet e Bashkuara do të duhet ta vlerësojnë», theksoi Zelensky.
Nga ana e tij Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se 26 vende janë pajtuar të marrin pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës, dhe se mbështetja e SHBA-së për këto garanci do të finalizohet në ditët e ardhshme.
Macroni tha se 26 vende “janë zotuar se do të dërgojnë trupa si forcë sigurie në Ukrainë ose do të jenë të pranishme në tokë, në det ose në ajër”.
© SYRI.net