Autoritetet egjiptiane, në bashkëpunim me grupin ndërkombëtar kundër piraterisë ACE (Alliance for Creativity and Entertainment), kanë mbyllur platformën më të madhe të transmetimeve sportive ilegale në botë, Streameast. Ky rrjet, i cili operonte përmes mbi 80 domenesh të ndryshme, kishte regjistruar më shumë se 1.6 miliardë vizita vetëm gjatë vitit të fundit, duke ofruar transmetime të paligjshme të ndeshjeve nga liga të mëdha si NFL, NBA dhe Premier League.
Sipas raportimeve, dy persona u arrestuan në qytetin El-Sheikh Zaid, pranë Kajros, nën akuzën për shkelje të të drejtave të autorit. Gjatë aksionit, policia konfiskoi kompjuterë dhe telefona, ndërsa hetimet zbuluan edhe lidhje me një kompani guaskë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila dyshohet se përdorej për pastrim parash nga të ardhurat e reklamave, me vlerë rreth 4.9 milionë paundë britanikë që prej vitit 2010, si dhe shuma të tjera në kriptomonedha.
“Kjo është një fitore e madhe në luftën kundër piraterisë dixhitale,” deklaroi Charles Rivkin, kreu i ACE dhe i Motion Picture Association. “Me këtë aksion kemi mbrojtur interesat e ligave sportive, kompanive të argëtimit dhe tifozëve në mbarë botën.”
Sipas ACE, trafiku kryesor i Streameast vinte nga SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Filipinet dhe Gjermania. Tashmë, të gjitha faqet e rrjetit ridrejtojnë përdoruesit në faqen zyrtare të ACE, “Watch Legally”.
Lajmi është përshëndetur nga transmetues të mëdhenj si DAZN dhe BeIN Sports, të cilët theksuan se pirateria dëmton rëndë vlerën e të drejtave televizive dhe të gjithë ekosistemin e sportit. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sa kohë çmimet e abonimeve mbeten të larta dhe të shpërndara në shumë platforma, shumë tifozë, sidomos gjenerata e re më e lidhur me teknologjinë, do të vazhdojnë të kërkojnë alternativa ilegale.
© SYRI.net