Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Protesta epike kundër Ramës

FOTO/ Koreano-veriorët largojnë çdo gjurmë të ADN-së së Kim Jong Un nga salla e takimit me Putin

FOTO/ Koreano-veriorët largojnë çdo gjurmë të ADN-së së Kim Jong Un nga salla e takimit me Putin

12:36, 03/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Imorgen Grafinkel – Daily Mail

Ky është momenti kur stafi koreano-verior fshinte të gjithë mobiliet që Kim Jong Un kishte prekur dhe largonte me shpejtësi gotën e tij, në atë që duket si një përpjekje për të eliminuar çdo gjurmë të ADN-së së tij pas takimit me Vladimir Putinin.

Udhëheqësit e Koresë së Veriut dhe Rusisë u takuan të mërkurën, pas një parade ushtarake madhështore në Pekin, ku presidenti kinez Xi Jinping demonstroi pozicionin gjithnjë e më të fuqishëm diplomatik të vendit të tij në arenën ndërkombëtare.

Në një video të postuar në Telegram, dy anëtarë të stafit shihen teksa pastrojnë me kujdes mbështetësen e karriges ku ka qëndruar Kim dhe largojnë gotën e tij të ujit mbi një tabaka. Njëri prej tyre sigurohet të fshijë krahët prej druri të karriges si dhe tavolinën pranë saj.

"Pas negociatave, stafi që shoqëronte kreun e RP të Koresë (DPRK) shkatërroi me kujdes çdo gjurmë të pranisë së Kim-it," raportoi gazetari rus Alexander Yunashev në kanalin e tij në Telegram, "Yunashev Live".

"Ata morën gotën nga e cila ai piu, fshinë tapicerinë e karriges dhe pjesët e mobilieve që udhëheqësi korean kishte prekur."

"Pjesa zyrtare e takimit përfundoi, Putin dhe Kim u larguan nga zyra të kënaqur dhe shkuan të pinin çaj në një atmosferë më të qetë."

Nuk është e qartë nëse Kim e urdhëroi këtë "dezinfektim forensik" nga frika për shërbimet sekrete të Putinit apo për ato kineze, por diktatori i Phenianit nuk është i vetmi udhëheqës botëror që shqetësohet për mbrojtjen e ADN-së së tij.

Thuhet se truproja e Putinit mbledhin urinën dhe jashtëqitjet e tij në çanta të mbyllura kur ai ndodhet jashtë vendit, të cilat më pas transportohen në Moskë në valixhe speciale.

Shërbimi Federal i Mbrojtjes (FPS) i Putinit duket se e ka praktikuar këtë ritual që nga viti 2017, për të parandaluar kundërshtarët që të nxjerrin informacion mbi gjendjen shëndetësore të tij përmes mostrave biologjike.

Gjatë bisedimeve, udhëheqësi koreano-verior i premtoi mbështetje të plotë Putinit, duke u zotuar se do të bëjë "çdo gjë që mundem për të ndihmuar" Moskën, ndërsa presidenti rus falënderoi Phenianin për dërgimin e trupave për të luftuar kundër Ukrainës.

Takimi u zhvillua në kuadër të festimeve në Pekin për përvjetorin e dorëzimit formal të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

Pak orë më parë, të dy udhëheqësit ishin në krah të presidentit kinez në një paradë ushtarake madhështore — hera e parë që tre liderët e këtyre vendeve mblidhen së bashku që nga ditët e hershme të Luftës së Ftohtë.

Pas paradës, Kim dhe Putin udhëtuan në të njëjtin automjet drejt një rezidence shtetërore për diskutime dypalëshe private.

"Po të ketë diçka që mund ose duhet të bëj për ju dhe për popullin rus, e konsideroj këtë detyrë si një obligim vëllazëror," i tha Kim Putinit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco