Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, ka dënuar ashpër vendimin e Belgjikës për të njohur shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai paralajmëroi se vendet evropiane që “bien pre e naivitetit dhe manipulimeve të Hamasit” rrezikojnë të përballen me terrorizëm në territorin e tyre.
“Edhe Izraeli dikur besonte në iluzione të tilla, por rezultati ishin dhunime, vrasje dhe masakra. Në vend që të vlerësojë terrorizmin, bota e lirë duhet të bashkohet kundër tij”, u shpreh Ben Gvir.
Belgjika njoftoi më 9 shtator, përmes ministrit të Jashtëm Maxime Prévot, se do ta njohë shtetin palestinez dhe paralelisht do të vendosë një paketë të gjerë sanksionesh ndaj Izraelit.
“Palestina do të njihet gjatë këtij sesioni të OKB-së dhe njëkohësisht sanksione të forta do të vendosen ndaj qeverisë izraelite”, shkroi Prévot në platformën “X”.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e importeve nga vendbanimet koloniale, kufizimin e bashkëpunimeve me kompani izraelite, procedime gjyqësore kundër zyrtarëve, ndalimin e fluturimeve izraelite edhe në tranzit dhe përcaktimin si “ekstremistë” të disa ministrave të qeverisë hebreje.
Sipas kryediplomatit belg, “12 masa do të implementohen në nivel kombëtar për shkak të tragjedisë humanitare në Palestinë dhe shkeljes së ligjit ndërkombëtar nga Izraeli”.
© SYRI.net